Gjatë konferencës së organizuar nga Fondacioni Martens dhe Fondacioni “Liri dhe Demokraci”, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk mund të zhvillohet në dëm të standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
“Integrimi në BE është ylli polar i programit tonë. Por nëse i jepet përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, kjo do të ishte një gabim i tmerrshëm dhe historik”, u shpreh Berisha.
Duke falënderuar përfaqësuesit e PPE-së dhe të qendrave të djathta evropiane për praninë dhe mbështetjen, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet tërësisht e angazhuar për vlerat dhe parimet evropiane.
Ai paralajmëroi se vendosja e stabilitetit përpara reformave të thella demokratike dhe shtetformuese rrit rrezikun e autokracisë, duke marrë si shembull pikërisht Shqipërinë:
“Shqipëria është një kazus tipik. Prioriteti i stabilitetit ndaj standardeve e ka shndërruar vendin në një shtet autokratik.”
Sipas Berishës, procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, duke ndihmuar vendet kandidate të shkëputen përfundimisht nga trashëgimia autoritare dhe të ndërtojnë institucione të forta e të pavarura.
“Një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidate dhe i vetmi garanci për të ardhmen demokratike të rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian”, përfundoi ai.