Ish kryeministri, Sali Berisha ka dalë në mbështetje të protestës së mbajtur gjatë ditës së sotme nga pedagogët para universitetit Politeknik të Tiranës, ku kanë kërkuar rritjen e rrogave.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha u bëri thirrje pedagogëve dhe stafit akademik që të mos dorëzoheshin para qëndrimeve të Ramës, që ai i quajti si qëndrime arrogante.
Sali Berisha: Unë dua të shpesh mbështetjen e plotë dhe totale të PD-së për pedagogët, studentët dhe punonjësit e universiteteve që sot organizuan një protestë të fuqishme. I garantoj se PD qëndron në mbështetje të çdo kërkese që ata sot i drejtojnë një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdute. Kërkesat e pedagogëve dhe punonjësve akademikë, janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar në Shqipëri. Edi Rama u është përgjigjur me një qëndrim përçmues dhe cinik sindikatave të arsimit të lartë dhe kërkesave të tyre. Edi Rama ka hartuar një vendim me të cilin ai shpreh pikërisht arrogancën, shpreh cinizmin dhe përçmimin ndaj universiteteve. Si dhe kërkon të përçajë trupën akademike nga kolektivi studentor. Ai në vendimin e tij parashikoi zero rritje buxhetore për rrogat. 10% që deklaron ai, dje e kishte 10, sot e ka bërë 7%, është më i ulët se inflacioni. Pra nuk përbën as indeksim por cinizëm. Ajo që është më e rëndë është se premton rritje rroge nga tarifat e studentëve. Pra u thotë studetëve dhe familjeve të tyre, paguani ju për pedagogët. Në botë këtë nuk e bën askush, përveçse në kohën e Jugosllavisë. Nëse mbetet që pedagogët të paguhen me tarifat e studentëve, ato janë thjesht një iluzion sepse komisarët e partisë në universitete, bordet që përfaqësojnë partinë në universitete, kanë zhdukur praninë akademike. Me këtë rast unë i bëj thirrje çdo pedagogu, në universitetet e vendit çdo studenti dhe familjari, të mos përkulen para këtij qëndrimi arrogant dhe cinik të një njeriu që de facto po çon universitetet tona drejt shkatërrimit. U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin këtë protestë me të gjithë potencialin e tyre si një kusht për të ruajtur universitetet si institucionet e formimit të inteligjencës tonë kombëtare. Duke përgëzuar sindikatën e punonjësve të universiteteve, duke përgëzuar të gjithë ata që morën pjesë në atë protestë masive, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe deklaratat e Ramës në UBT, u bëj thirrje të vazhdohet kjo betejë sepse PD do vazhdojë të qëndrojë pranë tyre.