Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi këtë të mërkurë një konferencë me gazetarët, ku vijoi akuzat për atë që ai e cilëson “masakra elektorale e 11 majit”.
Ai u ndal veçanërisht te vota e diasporës, për të cilën pretendon se mungojnë rreth 60 mijë vota të emigrantëve shqiptarë.
Sipas Berishës, këto fletë votimi nuk janë dorëzuar kurrë te votuesit e diasporës dhe janë përdorur brenda vendit për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
“Ka këtu shumë. Mos harroni se mungojnë 60 mijë vota. Ku janë? Fletët janë përdorur brenda vendit. Ka shumë gjëra. Ne do e zbërthejmë këtë proces. Po nuk janë dërguar fare. Ne do e zbërthejmë këtë proces, një më një. Ky është procesi më i turpshëm, farsa më e turpshme dhe askush nuk mund të kalojë mbi të. Jo”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se Partia Socialiste ka përdorur patronazhistët për të paketuar në mënyrë fiktive votën e diasporës.
“Janë përdorur patronazhistë të dërguar nga Taulant Balla dhe Belinda Balluku në Greqi dhe Itali. Janë angazhuar ish-punonjës dhe punonjës aktualë ambasadash, si dhe zyrtarë të PS-së, për të grumbulluar dhe paketuar zarfet në mënyrë fiktive”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se procesi i votimit të diasporës është rregulluar me një procedurë të miratuar me konsensus, por sipas tij, qeveria e ka deformuar këtë mekanizëm për qëllime elektorale.
“Kjo është farsa më e turpshme zgjedhore që ka njohur vendi. Ne do ta zbërthejmë të gjithë këtë proces, një më një. Askush nuk mund të kalojë mbi këtë masakër zgjedhore pa përgjegjësi,” përfundoi kreu i opozitës.