Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur seancën parlamentare të së enjtes për të lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “Ramaduro i Evropës”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha thumboi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se “kartelet e nxorën nga parlamenti”, pasi Koçi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai u shpreh se Petro Koçi është i komanduar dhe nuk ka asgjë për të thënë jashtë linjës së partisë.
Në të njëjtën linjë ironie, Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke pyetur se ku janë ato gjatë denoncimit të tij për përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe duke thënë se ato janë produkt i një procesi që ai e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale” në historinë e Shqipërisë.