Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbajtur ditën e sotme në një deklaratë për mediat duke hedhur akuza për përdorimin e bandave në fushatën elektorale.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka përdorur bandat për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në 14 maj.
Më tej ai deklaroi se se është ngritur një komision dhe po punon me intensitet për të dokumentuar megrakrimin në zgjedhjet lokale.
“Dokumentet, dëshmitë, fotografive, filmimet, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjet brutale, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës në kontrollin e votës së zgjedhësve shqiptarë.
Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra-tjetrës, të urdhëruara nga kryekumbara Edi Rama.
Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit. Por bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë.
Inxhinierë, drejtorë, punonjës, kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin: votën ose jetën!
Delinkuentë të dënuar rëndë në vendet përreth si përdhunues kanë shoqëruar deputetë të PS dhe janë vendosur numërues, në Devoll për shembull.
Në burgun e grave në Tiranë është votuar 100 përqind për Erion Veliajn. Vetëm një person, dhe ai ishte vëzhguesi, ka arritur të votojë ndryshe.
Në qendrat e tjera, qytetarët janë detyruar të mos futen fare në dhomën e fshehtë sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisioneri.
Këto janë vetëm disa nga rastet e panumërta që dëshmojnë dhunimin flagrant të të drejtës së qytetarëve shqiptarë në këtë proces farsë elektorale.
Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata, drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 maj 2023″, tha Berisha.