Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sot një deklaratë për mediat, nga ku foli për keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Berisha tha se Rama po u jep goditjen e mëshirës fermerëve, ndërsa theksoi se fondet shkojnë në sektorët ku vidhet më shumë.
Berisha foli ndër të tjera për buxhetin e 2025. Ai tha se dita e miratimit te buxhetit 2025 do të shoqërohet me protesta të fuqishme rreth parlamentit.
“Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit…Shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarit. 3.5 përqind e buxhetit do shkojnë për subvencione në bujqësi…Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.
Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve. Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.
Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori. Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare. Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit.
Do hiqet që javën e parë taksa armiqësore ndaj fermerëve, TVSH-ja armiqësore 0 në blerje dhe 20 përqind në shitje. Do jetë e barabartë në blerje dhe shitje.
Krijimi i agjencisë për fermerët për orientimin e tregut është një zotim jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori. Mbështetja për teknologjitë e reja mbetet një prioritet i madh për PD, veçanërisht dixhitalizimi do jetë synim që të lehtësojë sa më shumë punën e fermerëve dhe të rrisin rendimentet.
Rritja e sigurisë ushqimore, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë nga mbeturinat që mbeten në prag skadimi në magazinat e botës, do jetë qëllim kryesor i yni. Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se pa zhvillim rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar.
Do bëjmë gjithçka me moton që fshatrat që kenë infrastrukturën e qyteteve, dhe për këtë zotohemi që në katërvjeçarin e parë. Këto janë disa nga pikat kryesore të programit tonë për fermerët dhe bujqësinë.
Edhe njëherë shpall, shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Begatimi i tyre, përmirësimi i tyre ekonomik”, tha Berisha.