Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh sot se nuk ka pasur asnjë vendim të PD-së për bojkotin e seancave të parlamentit, por përjashtimi i 24 deputetëve pengoi pjesëmarrjen në komisione.
Në një komunikim për mediet Berisha foli edhe për rikthimin e opozitës në Kuvend, ndërsa tha se është shumë e rëndësishme që deputetët për buxhetin të thonë fjalën e tyre edhe në parlament.
“Ka pasur një keqkuptim, keqkuptimi ka qenë që nuk ka asnjë vendim të PD-së për bojkotin e seancave të parlamentit. Deputetët tanë që nuk kanë qenë të përjashtuar kanë shkuar në çdo seancë, por janë bllokuar tek dera në mënyrë të paligjshme. Nuk ka patur asnjë vendim edhe njëherë, që të braktisë, që të bojkotohet parlamenti, gjë që mund të merrej, por nuk është marrë”, tha ai.
Nga ana tjetër Berisha sqaroi se ka pasur një vendim kur u bë përjashtimi i 24 deputetëve, pasi kjo vështirësoi krejtësisht pjesëmarrjen në komisione dhe këto u bojkotuan.
“Anulimi i vendimit nga Gjykata Administrative riktheu deputetët edhe në komisione. Së dyti e konsideroj shumë të rëndësishme që deputetët për buxhetin të thonë fjalën e tyre edhe në parlament, sepse taksapagues është edhe populli opozitar, sepse interesat e qytetarëve në rastin e buxhetit është shumë specifike dhe do ti mbrojmë edhe në parlament”, tha ai.
Nga ana tjetër, Berisha këmbënguli se nuk lëviz asgjë nga mosbindja civile.
“Ju garantoj me përgjegjësi të plotë këtë. Ajo do të vazhdojë në rrugë, sheshe dhe kudo”, tha ai.
Berisha tha se taktika e opozitës do të synojë transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.
“Në rast se ju kujtohet, buxheti i vitit të kaluar u bë famoz në mbarë botën, se u votua për 5 minuta. Pra mori damkë përfundimtare nga opozita. Akoma nuk mund të them se cila do të jetë taktika, por taktika jonë do të synojë, transparencë të plotë, mbrojtje e interesave të qytetarëve shqiptarë dhe reagim adekuat ndaj hajdutëve”, tha ai.