Përçarjet në Partinë Demokratike, janë në diskutime mediatike për 2 vite tashmë. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Kryedemokrati Lulzim Basha, duket sikur janë në një ‘luftë të ethshme’, mes njëri-tjetrit, gjë e cila ka sjellë dhe ndarjen e faktorëve të tjerë të PD-së.
Azgan Haklaj, në një intervistë për FaxNews, ka treguar zgjedhja e Bashës në krye më 29 korrik, ishte me vullnet të plotë.
Ish-deputeti i PD-së, shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë peng PD-në për ta përdorur si një bunker përballë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, vende të cilat e kanë shpallur “non grata”.
Marrja e selisë, thotë Haklaj për gazetarin Albi Rakip, u bë nëpërmjet ‘kamikazës’ siç e ka quajtur ai, Agron Zhukri. Më tej, sipas tij, ishte KQZ që i dha krahë, në proceset parazgjedhore.
Haklaj, e quan grupimin që mbështet Berishën, një çetë anti-amerikane. “Berisha sërish përdori një grup manekinësh, të udhëhequr nga Gazment Bardhi që e bëri dhe një përpjekje për t’ia rrëmbyer vulën PD-së dhe t’ia përcjellë Berishës, sepse i duhet ajo vulë”, ka thënë Haklaj, ku shton dhe pretendimin për një ujdi mes Berishës dhe kryeministrit Edi Rama që nga viti 2008, duke filluar sipas tij me ndryshimet në Kushtetutë, deri të asgjësimi i votës së lirë.
Azgan Haklaj: Z.Basha nuk u rikthye, u rizgjodh nga anëtarët e PD-së, me vullnet të plotë, të lirë. Me shumicë absolute votash.
Menjëherë pas zgjedhjes, ndërmori takimin me Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë dhe vendosën që më 2 shtator, të thirret Kuvendi Kombëtar Statutor i PD-së. Basha e ka shpjeguar marrëdhënien e tij më Berishën, më 9 shtator mori përsipër misionin historik të përjashtimit të Berishës, pas shpalljes “non grata”.
Në fund, Berisha zgjodhi ta marrë peng PD-në dhe ta përdorë si bunker, përballë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Basha për të mos i përçarë demokratët, zgjodhi ta përjashtojë vetë. Pastaj, sulmi barbar që organizoi Berisha me Nokën, ndaj PD-së, për ta marrë me dhunë. Zoti deshi që të mos kishte të dëmtuar.
Pas kësaj, përdori, një kamikazë, Agron Zhukrin dhe me një marifet mori selinë e PD-së, e zaptoi dhe do ta lirojë se s’ka ku shkon. Më pas përdori të gjitha marifetet për ta penguar PD-në të regjistrohet në zgjedhje. KQZ ia mundësoi këtë. Siç e keni parë i çoi zgjedhjet në kusi. Tani thotë që nuk i njeh zgjedhjet. Ndërkohë kandidatët kanë pranuar, sepse ua kanë liruar detyrën kandidatëve të rilindjes. Problemi është krejt i thjeshtë. Kanë mashtruar demokratët për t’i dhënë pushtet Ilir Metës.
Pas dështimit në 14 maj, pavarësisht agresionit të gjatë, përdorimit të industrisë mediatike, kundër PD-së, shqiptarët, 103648 votues vendosën të votojnë PD-në. Pas 14 majit, dolëm nga reanimacioni, bëmë zgjedhjet dhe Berisha sërish përdori një grup manekinësh, të udhëhequr nga Gazment Bardhi që e bëri dhe një përpjekje për t’ia rrëmbyer vulën PD-së dhe t’ia përcjellë Berishës, sepse i duhet ajo vulë.
I duhet të jetë kryetar. Mblodhi një këshill, të pa certifikuar, që është kthyer në një çetë anti-perëndimore dhe po përpiqet me çdo çmim që të mbajë në këmbë ‘trekëndëshin e Bermudës’. Sa herë ka dalë në shesh, asgjë nuk ka bërë. Ka shpikur diçka tjetër, për të mbajtur në këmbë një regjim, që në 2008 është konstruktor me Ramën, pas ndryshimeve kushtetuese, atentatit ndaj Kushtetutës, pas asgjësimit të votës së lirë dhe pas ndërtimit të një qeverie korrupsioni. Ka qenë një ujdi e Ramës dhe Berishës, për të mbajtur pushtetin. Marrëveshja ka qenë për rotacion pa votë të lirë.