Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim online me qytetarët në rrjetet sociale. I pyetur në lidhje me primaret, kryedemokrati theksoi se do të shpallen së shpejti. “Primaret së shpejti do të shpallen, janë të hapura për shqiptarët kudo që banojnë, në Shqipëri, diasporë dhe kudo që ndodhen”, tha Berisha.
Berisha shtoi se primaret do të jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Sa i takon votës së diasporës, Berisha tha se do të bëjmë gjithçka për një proces transparent.
“Është garantuar një postë e paanshme në princip, një postë prestigjioze ndërkombëtare që do të transportojë këto. Ndërkohë mekanizmat e kontrollit të dyanshëm, në të gjitha etapat e numërimit të këtyre votave. Unë ftoj çdo qytetar jashtë vendit, që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar, se me votën e tyre kësaj radhe ka të gjithë mundësinë të firmosë rotacionin, ndryshimin”, tha Berisha.
Duke iu përgjigjur një qytetari gjatë bashkëbisedimit online, Berisha tha se Partia Demokratike do të shqyrtojë shumë seriozisht hapjen e zyrave në kryeqytetet evropiane për regjistrimin e votuesve. Berisha tha më tej se Partia Demokratike ka një zotim solemn, kompensimin financiar ose fizik të çdo prone, të çdo sipërfaqeje.
“Gjatë viteve 2005-2013, ne rikthyem 2 miliardë e 577 milionë metër katrorë tokë. Ndërkohë kompensuam me dhjetëra milionë euro pronat e tjera. Iu garantoj se kompensimi i pronarëve me euro, me çmim tregu tokën, ose me kompensim fizik dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, janë dy shtyllat kryesore të programit tonë”, tha Berisha.
Sa i takon investimeve në ishullin e Sazanit, Berisha tha se kryeministri Rama po e përdor për të blerë influenca politike
“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani i është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit”, u shpreh Berisha.
I pyetur në lidhje me partitë e reja, Berisha tha se PD është e hapur, ndërsa shtoi se këto forca politike, në një mënyrë apo një tjetër i vetëakuzon, pasi objektiv kryesor në sulmet e tyre këta vënë PD-në.
“Problem për Shqipërinë është kleptokracia, është narkoshteti. Mirëpo, cilat janë arsyet që këto forca politike vendosen në funksionin e opozitarëve të opozitës, le t’i gjykojnë vet qytetarët. Natyrisht, nuk është një rol i denjë, është një rol shumë kompromentues” tha Berisha.