Ish-kryeministri Berisha ka reaguar pas seancës së ditës së djeshme që u organizua në nder të deputetëve të vrarë në vitin 1947 nga komunistët.
Berisha e ka quajtur Ramën mashtrues dhe ka duke e akuzuar atë se i vrau për së dyti deputetët e ekzekutuar.
Ai tregon gjithashtu 4 arsye se përse sipas tij Rama i vrau për së dyti.
Duke e quajtur mashtrues Ramën, Berisha thotë se ky I fundit duhet të kërkonte ndjesë publike edhe pse nuk ka përgjegjësi personale por për shkak të lidhjeve të tij të afërta biologjike me ata që i ekzekutuan këta deputetë.
Ai thotë gjithashtu se në fjalën e tij Rama nuk përmendi as sigurimin e shtetit as Enver Hoxhën.
POSTIMI I PLOTË:
Ja sepse, Edvin Kristaq Rama vrau për së dyti, dje në parlament, martirët e lirisë!
Të dashur miq, në seancën e djeshme plenare kushtuar nderimit të 16 deputetëve dhe intelektualëve të kombit, të ekzekutuar nga Enver Hoxha, më 10 tetor 1947, Edvin Kristaq Rama me fjalimin dhe qëndrimet që mbajti i vrau, për së dyti, martirët e lirisë, dhe kjo, për disa arsye:
Së pari, në fjalimin e tij prej 1260 fjalësh, si krytar i një partie që pasi ndryshoi emrin nga PPSH në PS, shpalli vehten trashigimtare juridike të partisë së Enver Hoxhës që kreu krimin terrorist, ai, mund dhe duhej të kërkonte një ndjesë ex oficio. Për më tepër Edi Rama, ndonëse nuk ka përgjegjësi personale, duhet të kërkonte ndjesë publike edhe për shkak të lidhjeve të tij të forta familjare me xhelatët që urdhëruan dhe firmosën varjet, pushkatimet, burgosjet, internimet politike gjatë diktaturës hoxhiste. Ai, duhet ta dijë se, përgjegjësia, në rastin e tij morale, për krimet e paparashkrueshme, genocidin dhe krimet kundër njerëzimit, të etërve të tij shpirtërorë dhe bilogjikë, do ta ndjekë gjithë jetën si një detyrim moral për të kërkuar ndjesë, pavarësisht nga ndërrimi i emrave të forcës politike që ai drejton apo funksionet që ai do të kryejë.
Së dyti, Edi Rama në seancën e djeshme, vrau edhe një herë parlamentarët e lirisë dhe bashkëpunëtorët e tyre, sepse ai me cinizëm esktrem në krye të seancës përkujtimore, vendosi ish ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi, dhe si për t’ju thënë atyre “mirë ua kanë bërë”, nuk e zëvendësoj atë me një nga nënkryetarët, në drejtimin e seancës. Përveç kësaj, Rama gjatë seancës, mbante në krahë një ish-hetues që ka thyer nofulla në hetuesinë politike gjatë diktaturës, Fatmir Xhafën.
Së treti, Edi Rama i ekzekutoi dje, edhe një herë në varre, ata burra të shquar të kombit, sepse në fjalimin e tij prej 1260 fjalësh, nuk shqipëroj as dhe njëherë të vetme një fjalë dënuese e madje as dhe emrin e Enver Hoxhës, Hitlerit Shqiptar të pas luftës, kryxhelatit të krimit monstruoz të rradhës kundër njerëzimit, të datës 10 tetor 1947.
Përkundrazi, Edi Rama për të mbrojtur atin e tij shpirtëror, manipuloi dhe fallsifikoi dje historinë. Kështu ai, në parlament, mashtroi trashë dhe me cinizëm kur deklaroi se: “Një major me dy kapitenë ushtrie, të asistuar nga një aspirancë, janë autorët e eliminimit të 15 deputetëve që përbënin 20% të parlamentit në atë kohë, ….”.
Të paraqesësh këtë krim monstruoz si akt të një majori dhe dy kapitenëve të ushtrisë, është njëlloj si të shkrehje breshëri kallashi dje, në parlament, mbi kujtimin dhe veprën e martirëve të opozitës shqiptare.
E vërteta historike është se, vendimi për dënimin e tyre me vdekje është marrë dhe firmosur nga vetë Enver Hoxha dhe Byroja Politike, para zhvillimit të gjygjit. Kështu që, majori dhe kapitenët kriminelë dhe terroristë në atë proces farsë, zbatuan thjesht vendimin e kryexhelatit Hoxha, të cilit Rama në 1260 fjalë nuk i përmend qoftë dhe njëherë të vetme emrin, por kërkon të mashtrojë shqiptarët se, fajin e kishte një major dhe dy kapitenë ushtrie.
Përveç kësaj, kërkesa e martirëve për faljen e jetës u refuzua dhe zbatimi i vendimit të ekzekutimit u miratua me shpejtësi të rrufeshme, po nga diktatori stalinist Enver Hoxha, pra edhe plumbat mbi gjoksin e tyre, mbanin firmën e Enver Hoxhës, të cilit Edi Rama me kujdes i fshehu veprën terroriste dhe genocidin ndaj opozitës.
Së katërti, Edvin Kristaq Rama i vrau për së dyti martirët e lirisë sepse, ai, dje në 1260 fjalë nuk shqipëroj një herë të vetme një fjalë për Sigurimin e Shtetit, Policinë terroriste Sekrete të Enver Hoxhës që, me porosi direkte të tij, i torturoi gjer në vdekje, vari, pushkatoi e burgosi ata burra dhe dhjetra mijëra shqiptarë të tjerë, gjatë 46 viteve të kalvarit komunist. Rama nuk përmendi dot dje Sigurimin e Shtetit sepse, ai, me shumicën e tij miratoi ligjin e dosjeve që ju garantoi terroristëve të Sigurimit, emërimin në çdo funksion, në të gjithë lartësinë e piramidës së maxhorancës aktuale. Ndërkohë që, Rama dhe partia e tij, rrëzuan me angazhimin e tij direkt personal ligjin tjetër që i nxirrte kriminelët e Policisë Sekrete të rregjimit hoxhist, njëherë e përgjithmonë nga administrata, organet e zgjedhura dhe ato gjyqësore të shtetit shqiptar.
Edi Rama me fjalën e tij mashtroi shqiptarët dhe manipuloi të vërtetën kur, në mënyrë të përsëritur, deklaroi se ishim mbledhur aty për shkak të miratimit nga mazhoranca e tij të ligjit të dosjeve, ligj që mbronte xhelatët e Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që memorja e parlamentit dhe dokumentat e këtij shteti faktojnë se, parlamenti ka mbajtur më pare sesione komemorative në nderim të martirëve të 10 tetorit 1947, natyrisht jo i kryesuar nga Ministri i Policisë terroriste Sekrete të Enver Hoxhës, Gramoz Ruçi, por nga një përfaqësuese e denjë e shtresës së tyre, Zj. Jozefina Topalli, si dhe vite më parë ata janë shpallur “Martirë të Lirisë”.
Si përfundim, dua t’i them Edi Ramës se, as me një apo tridhjetë majorë apo kapitenë kriminelë e terroristë, nuk mund të mbulosh fytyrën prej xhelati të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë dhe të gjithë atyre që urdhëruan, firmosën, edhe si puna e babait tënd bilogjik, varjen, ezkekutimin, torturimin apo burgosjen e viktimave të genocidit komunist.
Këtu, më poshtë, keni një foto të majorit dhe disa prej kapitenëve xhelatë të martirëve të lirisë, viktimave të diktaturës hoxhiste.
(B.H/Shuplaka)