Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike mbi çështjet e sigurisë dhe rendit. Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për krijimin e një “narkoshteti” dhe për inkriminimin e Policisë së Shtetit. Ai vlerësoi punën e policëve të ndershëm dhe u shpreh mirënjohës për ata që kanë luftuar kundër krimit, duke theksuar sfidat me të cilat përballen ata në detyrë.
Berisha akuzoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si një përfaqësues të krimit të organizuar dhe një nga përgjegjësit kryesorë për kanabizimin e vendit.
Sipas tij, qeveria aktuale ka rekrutuar ish-trafikantë dhe persona të inkriminuar për të forcuar pushtetin, duke rikthyer një kulturë kriminale në strukturat e sigurisë. Ai e krahasoi raportin e Ramës me krimin me atë të figurave historike si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.
FJALA E BERISHËS:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit, që u larguan nga krimi që erdhi në pushtet nga kjo polici, për shkak të kontributit të çmuar që ata dhanë në luftën kundër kriminalitetit, në sigurimin e jetës dhe veprimtarive të qytetarëve shqiptarë.
Dua të përshëndes me këtë rast edhe të gjithë ata anëtarë të Policisë së Shtetit që janë sot në detyrë, por që kanë arritur mes vështirësive të jashtëzakonshme të qëndrojnë të papërkulur, para krimit dhe lidhjeve të tmerrshme të tij. Ti siguroj se ata kanë dhe do të kenë, vlerësimin më të madh.
Të dashur miq!
Edi Rama betejën e tij, për krijimin e narkoshtetit e nisi kundra jush, kundra Policisë së Shtetit. Për këtë qëllim ai vendosi në krye të ministrisë së Rendit, një gangster, një trafikant, një ordiner siç ishte Saimir Tahiri, i cili ishte edhe politikani i parë shqiptarë që do të blinte skafin e trafiqeve, personal.
Me vendosjen e një eksponenti të krimit në krye të Ministrisë së Rendit, Rama dhe mëkëmbësi i tij filluan operacionin e spastrimit të policisë nga qindra oficerë të guximshëm, trima që i bënë vendit shërbime të jashtëzakonshme, duke asgjësuar dhe vendosur para ligjit mbi 206 grupe dhe organizata kriminale më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.
Ndërkohë pasi bën këtë spastrim të radhëve të policisë, ata rekrutuan malavitën me të cilën erdhën në pushtet dhe nisën haptas, publikisht, zyrtarisht e narkoshtetit me kanabizimin e të gjithë Shqipërisë.
Ata rikthyen në detyra, të gjithë ish-trafikantët, ish-oficerët e inkriminuar të larguar nga detyra jo vetëm nga qeveria e PD, por e vërteta të larguar nga detyra edhe nga qeveritë socialiste para saj.
Edi Rama në raport me krimin, në historinë kombëtare mund të konsiderohet vetëm me etërit e tij, Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, që sigurisht rrethoheshin nga vrasës dhe kriminelë, se me asnjeri tjetër.