Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj shpalljes së shtetit Bektashi nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si një veprim të rrezikshëm që cënon harmoninë fetare dhe unitetin kombëtar. Në një status në rrjetet sociale, Berisha e ka quajtur këtë akt një thikë pas shpine ndaj besimit mysliman dhe një projekt antikushtetues që përçon përçarje fetare në vend.
“Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, jo për krijimin e principatave fetare. Ata ishin atdhetarë të flaktë, jo trafikantë dhe tradhtarë antishqiptarë,” shkruan Berisha.
Sipas tij, ky veprim ka për qëllim përdorimin e territorit shqiptar për interesa personale dhe ndërkombëtare kriminale. Berisha e akuzon Ramën si një “antishqiptar të damkosur” që po minon harmoninë dhe tolerancën fetare të kombit.
Partia Demokratike, përmes Berishës, garanton se do të mbrojë me vendosmëri parimin e ndarjes së shtetit nga feja dhe nuk do të njohë kurrë nisma të tilla, të cilat ai i cilëson antikushtetuese dhe antikombëtare.