Në një konferencë për gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar rëndësinë e një Shqipërie të madhështore, ku sundon ligji dhe ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve janë të garantuara. Ai shprehu se Shqipëria është në një rrugë të rëndësishme drejt Bashkimit Evropian, por kjo rrugë kërkon një sistem ligjor të fuqishëm dhe një shoqëri të drejtë.
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e cila shkon si zonjë e vërtetë drejt BE-së. Një Shqipëri madhështore drejt BE është Shqipëria në të cilën qytetarët kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre themelore. Në këtë Shqipëri, asnjë individ nuk është mbi ligjin dhe të drejtat e individëve respektohen pa asnjë përjashtim,” tha Berisha, duke theksuar nevojën për një shtet ligjor të bazuar në barazinë para ligjit.
Fjala e plote:
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e cila shkon si zonjë e vërtetë drejt BE-së.
Një Shqipëri madhështore drejt BE është Shqipëria në të cilën qytetarët kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre themelore.
Shqipëria në të cilën shteti ligjor i barazisë para ligjit dhe ku asnjë njeri nuk është mbi ligjin.
Shqipëria në të cilën të drejtat dhe liritë e individit respektohen në të gjitha rrethanat dhe janë moto e pandryshueshme e qeverisë.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e garës së barabartë në të gjitha fushat.
Unë dje isha në takim me bizneset dhe ju e ndoqët.
Ata shprehën një problem në pamje të parë, burokratik, por e vërteta është shumë thelbësor për këtë sistem.
Ata thanë se ne si grupe interesi nuk na përfill kush. Kjo është e vërtetë.
Kjo ndodh se grupet e interesit janë zëvendësuar me grupet e interesave familjare.
Pra nuk ka më interesa grupesh, ka interesa familjesh.
Nuk mund të flasin siç e shihni ju pronarët e bregut, sepse Edi Rama do të gllabërojë 224 mijë metër katrorë. E tha ndonjë fjalë ai për këtë vjedhje të madhe që u dokumentua? Asnjë fjalë.
E dëgjuat që heshti. Nuk dha asnjë shpjegim për të gjitha ato falsifikime që u denoncuan këtu.
Pra, është Shqipëria në të cilën qytetarët nuk plaçkiten, nuk grabiten.
Në të cilën interesat e tyre nuk rrëmbehen nga interesat familjare.
Pasuritë publike nuk shpërndahen tek familjarët dhe prestanomet e qeveritarëve.
Nuk përfundojnë në kontot offshore.
Nuk konvertohen në saraje të Surrelit me park 8500 metër katrorë.
Jo, Shqipëria zonjë shkon drejt BE me një shpërndarje të drejtë dhe të ndershme të buxhetit.
Jo si një Shqipëri ku rroga më e lartë është më e madhe se 10 rroga mesatare.
Nuk është vend demokratik ky, ky është vend tipik autokratik.
Ndaj dhe ne kemi përparësuar në mënyrë absolute zbatimin e ligjit dhe shtetin ligjor. Luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Ngushtimin sa më të shpejtë të hendekut të madh mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë në Shqipëri.