I ftuar në emisioni “Fakt” të gazetarit Çim Peka, ish-kryeministri Berisha sulmon kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, duke iu referuar atij si “Turpi i njeriut.”
Berisha i referohet investigimit të “Shuplaka-s” për Veliajn, i cili gjatë muajit tetor rezulton që vetëm 9 ditë të ketë qenë në Tiranë, dhe 22 ditë të tjera jashtë shtetit, pavarësisht se në media ka dalë pothuajse çdo ditë “duke punuar” në kryeqytet.
“Mediat tona hanë llokumet e kasetat e Erion Veliajt, por s’ka gjë më të turpshme.
Të bëhen përcjellëse të një mashtrimi të tillë të paskrupullt e amoral, një kryetar bashkie i cili u thotë qytetarëve se sot jam rruga Selaudim Gabrani kur është në Singapor, një ditë tjetër u thotë se jam te rruga Halil Bega dhe atë ditë është në Milano. Një kryetar bashkie i tillë është turpi i njeriut, por mediat janë më keq sesa ai, kur ata pranojnë një praktikë të tillë.”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetari për “Fake News-et”, Berisha tha se mediat një Shqipëri i kanë ato si sallatë të përditshme, megjithatë ai u bën thirrje t’i thërrasin mendjes dhe të kuptojnë se pikërisht mediat janë shtylla e lirisë.
“Fake News këtu është ligj i përditshëm, apo news me tualet, është sallata më e zakonshme. Do të jap një shembull këtu. Uroj që mediat në momentin e tyre më të fundit, të ndalen të kthehen, t’i thërrasin vetës, të mendojnë se janë një pushtet i lirisë, janë një shtyllë e lirisë. Po marr shembullin e fundit të portalit ‘Shuplaka’, i cili nëpërmjet një gazetari të nderuar investigativ, nga më të njohurit në atë fushë Artur Cani, na fakton që Erion Veliaj, nga 31 ditë të muajit, vetëm 9 ditë ka qenë në Tiranë, të gjitha të tjerat jashtë shtetit dhe në avion, ndërkohë që këto media e kanë paraqitur në ekranet e tyre duke mashtruar tiranasit dhe shqiptarët çdo ditë. Uroj që ky shkrim, kjo gjetje të ua prekë ndërgjegjen drejtuesve të mediave, redaktorëve të kryeredaktorëve të mediave. Në ç’kuptim? Kurrë mos të bjerë më në këtë mënyrë… Uroj që leksioni i Artur Canit t’u shërbejë, sepse është leksioni i kolegut të tyre. Nuk i ka ato mjete, bëri një investigim dhe dha një leksion të madh.”, shtoi ish-kryeministri.
Ndër të tjera, Berisha tha se ai kurrë nuk u ka çuar mediave kaseta të parapregatitura, por i ka patur dyert e hapura për këdo që ka dashur të bisedojë apo të marrë pjesë në një aktivitet të tij. (D.D/Shuplaka)