Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilëson një akt urrejtje vendosjen e taksës në rrugën Kashar-Thumanë. Në një komunikim me gazetarët, Berisha shton se vendosja e një takse për 20 kilometra rrugë është diskriminuese.
“Çështjet që desha të sjell para jush dhe shqiptarëve janë së pari, vendosja e taksës raciste, diskriminuese për 20 kilometra rrugë, Ura e Limuthit-Thumanë.
Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj.”
“Pra, pretendimi se është kategori A, është një mashtrim i turpshëm”, tha Berisha.
“Kategori A është rruga nga fillimi i bajpasit të Fierit gjer në Vlorë, nga Farka gjer në Elbasan dhe nuk ka asnjë taksë për këta banorë që kanë pothuaj dyfishin e të ardhurave krahasuar me banorët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Pukës dhe zonave të tjera.
Taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 km është absolutisht antiligjore sepse çdo qytetar shqiptar paguan njërën prej taksave më të larta në Europë, taksë qarkullimi, 270 lekë për çdo litër naftë, nga e cila mblidhen qindra milionë euro dhe destinacioni i vetëm ligjor i tyre është mirëmbajtja e rrugëve.”, deklaroi Berisha.
Berisha tha ae, PD do heqë çdo taksë mbi rrugët e Shqipërisë.
“Do anulojmë të gjithë tenderat për segmentet e rrugës Milot-Fier. Kjo taksë rëndon shumë buxhetin e qytetarëve.”, tha Berisha.