Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka lënë një shënim oficerit të policisë ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku u paraqit në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga gjyqtari i Apelit te GJKKO-së, Engert Pellumbi.
Në shënimin e shkurtër, Berisha ka theksuar sërish se vendimi ndaj tij është një akt i turpshëm politik dhe se prokuroria në kundërshtim me kushtetutën, kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë.
Ndër të tjera, ai shkruan: “Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”.
“Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre.
Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”, ka shkruar Berisha në shënimin e tij.
Kujtojmë se sot, 6 janar, Berisha u prit jashtë godinës së SPAK nga protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike në mbështetje të tij.
Kryedemokrati pasi mbërriti jashtë godinës hipi në makinë dhe përshëndeti me dy gishta mbështetësit.
Pas përfundimit të procedurës Berisha foli për gazetarët jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Ai tha se prokurorët kërkojnë që ta rikthejnë atë në arrest shtëpie, sepse sipas tij ai i ka sulmuar ata për shkeljet që kanë bërë.