Procesi i votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit sipas Sali Berishës u shtetëzua dhe diaspora nuk votoi e lirë. Pavarësisht kësaj ka bindjen se diaspora është në mbështetje të opozitës, ndaj sërish ka një ftesë për ta që të bashkohen në betejën e nisur nga Partia Demokratike.
“Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që votuan, të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit dhe për rikthimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë”.
Teksa publikoi pamje filmike dhe dëshmi të qytetarëve shqiptarë në Greqi që pohojnë se ka pasur problematika gjatë procesit të votimit, Berisha shton se opozita ka dokumente që faktojnë se vota e diasporës u tjetërsua.
“Këtu janë video të përgatitura për të dëshmuar se si Edi Rama nëpërmjet mekanizmave korruptive, nënkontraktorëve, ambasadave, etj, e shtetëzoi procesin e votimit dhe realizoi manipulimin më të madh. Urdhëroni, dengje me vota. Ky me krah votash shkon drejt konsullatës”.
Premton se do të vijojë të denoncojë atë që e quan farsë zgjedhore dhe shton se nuk përjashtohet dhe mundësia për protesta.
“Do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë”.
I pyetur për lëvizjet e fundit të SPAK, ku prokurorët kanë zhvilluar dhe kontrolle në banesën e Ergys Agasit, Berisha këto hetime i cilëson si karamele.
“Karamele, flluska të hedhura për të mbrojtur Ergys Agasin dhe Edi Ramën. Çfarë qëndron aty? Dy makina që Troplinët kishin parkuar në oborrin e Ergys Agasit, shkoi policia dhe i mori, në një kohë kur kartelit Troplini nuk i është prekur as një e dhjeta, as një e njëzeta e perandorisë së tyre, të ekonomisë së ngritur mbi drogën dhe krimin”.
Sulmoi sërish deputetët e Partisë Socialiste, duke thënë se nuk përfaqësojnë qytetarët por kartelet e drogës.