Sali Berisha ka dhënë dje intervistën e tij me deklarata shumë të forta në emisionin ”Fakt” të gazetarit Çim Peka, por ”Shuplaka” mëson sot se ”flakë për flakë” do kundërpërgjigjet Lulzim Basha, por në një tjetër studio.
Basha ka zgjedhur të realizojë një intervistë të gjatë me Blendi Fevziun në ”Opinion”, i ftuar nga gazetari.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin FAKT, të gazetarit Çim Peka deklaroi se ka qenë dhe është kundër listës së Lulzim Bashës, për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e qershorit.
Berisha i kujtoi Lulzim Bashës se humbi dhe duhet të mbajë përgjegjësi për listën e tij personale.
“E kam theksuar që unë do kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishme nga lista, kjo është listë e kryetarit për herë të parë në Partinë Demokratike se nuk ka ndodhur kurrë më parë, sepse nuk kaloi kurrë në forumet e partisë dhe nëse lista fiton kam deklaruar se do duartrokasim në mënyrë të zjarttë. Çdo njeri tjetër përveç Çim Pekës mund të thotë që ti e ke ditur që s’do fitojë.
Por ti e di në bisedën që bëmë në hapjen e fushatës në Fier, ishte një fushatë e shkëlqyer e nëse fushata do vazhdonte në atë trend, Lulzim Basha do elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues, e kam thënë. Por humbi, ai ka përgjegjësinë më të madhe personale. E kam thënë edhe që përgjegjësia nuk është vetëm e tij, është e përshkallëzuar por më kryesorja është e kryetarit.
Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhet të largohet. Nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam falenderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi patur, por kur vjen problemi ynë, lista e atyre apo ata në listën time, kjo është çëshjte tjetër.
Edhe njëherë e theksoj, kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo, por çdo njeri bën listën që mendon. Problemi kryesor i kësaj liste është se nuk kaloi në forumet e partisë, nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk duhet të ndodhë. Arsyeja është se ka një armiqësi shumë të egër, shpresoj të zbutet, por ata i hoqi personalisht kryetari, por cili është apeli im për ta.
Apeli im është që dakord, për mua ky është gabim i papranueshëm, megjithatë, në të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëllimet politike duhet t’ju udhëheqin interesat e PD-së, sikurse edhe kryetari, mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie se ata u hoqën nga ai e jo nga forumet dhe duhet ta zbusë. PD këtë histori ka, ndarjesh, bashkimesh, tolerancash.”, ishin fjalët e Berishës dje.
Intervista e Berishës u shoqërua po dje me një debat në studion e ”Opinion”-it, ku ishin të pranishëm Çim Peka, Fitim Zekthi, Preç Zogaj etj. Intervistë mbështetëse për Bashën apo goditëse, ky qe thelbi i diskutimit që ende vazhdon. Çfarë do të deklarojë Basha?! Mbetet të presim orën 21:00 për të mësuar më shumë. (V.G/SHUPLAKA)