Nga Armand Kullau
“Për 6-7 muaj më është dashur të mësoj ligjet sikur të isha jurist, për të zbuluar të gjitha paligjshmëritë që janë bërë në zbatimin e projektit “Thumanë-Vorë-Kashar”. Kështu e nis rrëfimin Muharrem Koni, kryeplaku i fshatit Bërxullë në Bashkinë Vorë, teksa rrëfen për “Fax News” të gjithë maratonën e protestave që kanë nisur prej 8 muajsh nga banorët e fshatit Bërxullë.
Protestat nga banorët e Bërxullës kanë nisur që në momentin kur kompania anonime nisi zhvillimin e projektit, por pa vendosur lajmërime dhe tabelën për kantierin e ndërtimit. Ky fakt i kryer i punimeve pa u sqaruar çështja e caktimit të vlerës së pronës, ka zemëruar banorët të cilët kundërshtojnë VKM-në e Qeverisë “Rama” më 2016. Koni thotë se gjithçka ka nisur pa konsultim publik.
Gjykata Administrative rihapi punimet
Në korrik 2021, Gjykata Administrative e Apelit nën drejtimin e gjyqtarëve Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa, rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të datës 25 janar 2019, për ndërprerjen e koncesionit Thumanë-Kashar, projekt i fituar nga kompania “Gener 2” në pronësi të Bashkim Ulajt.
Gjithashtu në vendimin e formës së prerë u urdhërua Ministria e Infrastrukturës që ta përcillte vendimin për miratim pranë Këshillit të Ministrave. Koncesioni ishte fituar me ofertën 225.8 milionë euro kurse gjatësia e rrugës që përfshinte projektin ishte 21 km.
Në relacionin e projekt-buxhetit 2019 kostoja për buxhetin për 2020, 2021 për këtë kontratë parashikohej të ishte 431 milionë euro. Pas përfundimit të tenderit, qeveria Rama dhe kompania “Gener 2” filluan negociatat për kontratën, por shpërthimi i skandalit të Unazës paralizoi negociatat.
Cfarë ndodhi me “Unazën”?
Në dhjetor 2018, qeveria shqiptare u vendos në vështirësi kur në media u zbulua se një kompani anonime “DH Albania” me pronarë të panjohur nga offshoret e Delaware-it në ShBA ishte fituese e dy tendereve me vlerë 30 milionë euro, duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Dokumentat nga Qendra Kombëtare e Biznesit zbulojnë se kishte disa lidhje mes personave të kompanisë “DH Albania” dhe punonjësve të “Gener 2”, e cila ishte fituesja e tenderit të koncesionit Thumanë – Kashar. Urdhri për ndërprerjen e koncesionit ishte një ndër vendimet e para të ministres Belinda Balluku, e cila zëvendësoi ish-ministrin Damian Gjiknuri.
Menjëherë pas anulimit, Partia Demokratike akuzoi ministren Balluku se do të hapte garë për ndërtimin me koncesion, ku investimi për ndërtimin e rrugës realizohej me fondet nga kompania fituese, e cila do të përfitonte të ardhurat nga taksat që do grumbullonte nga rruga për 35 vite. Në 26 maj ministrja Belinda Balluku nënshkroi kontratën me kompaninë “Gener 2” dhe “G2 Infra” për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor “Thumanë–Vorë–Kashar”.
Zbatimi i projektit dhe pikëpyetjet ligjore
Banorët e Bërxullës deklaruan për “Fax News” se, tetorin e kaluar pa paralajmërim përpara shtëpive kishte punonjës me piketa për matjen e rrugës. Disa ditë më pas një kompania e panjohur filloi punimet në terren pa paralajmërim duke dëmtuar edhe të mbjellat, situatë e cila solli protestat e banorëve nga frika e shpronësimit në vlerë të padrejtë.
Sipas kryeplakut Koni, kompania ka filluar punimet pa leje zhvillimi dhe ndërtimi. Ai thekson se në terren nuk ka tabelë që përcakton afatet e ndërtimit, emrin e kompanisë, e cila është e detyrueshme me ligj.
“Fax News” i dërgoi një kërkesë për koment Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për mungesën e tabelës dhe masat që merren në këtë rast nga institucioni, siç pretendojnë banorët. Në linjë telefonike për “Fax News”, Guri Seferi, drejtues i lartë pranë IKMT-së, deklaroi se ka ardhur një ankesë për rastin e Bërxullës dhe është përgatitur një urdhër inspektimi.
“Është bërë urdhri i grupit të inspektorëve për të dalë në terren dhe ditën e hënë (sot) grupi prej 3 inspektorësh do të verifikojnë problemin e ankesës që është bërë”, tha Guri Seferi.
Ndërkaq, urbanisti, Gentjan Kaprata deklaroi për “Fax News” se është shqetësuese që nuk ndiqen procedurat ligjore.
“Nuk mund të bëhet asnjë ndërtim në Republikën e Shqipërisë pa u vendosur tabela, sidomos një investim i madh publik. Madje duhet të identifikohet kantieri i ndërtimit, që të mos dëmtohen njerëzit, kafshët dhe pronat në zonën përkatëse ”, tha Kaprata.
Duke ndjekur situatën në terren, “Fax News” kontaktoi Drejtorinë e Policisë Tiranë për masat e marra për mungesën e tabelës së ndërtimit në terren. Në përgjigje të interesimit të “Fax News”, zyra e shtypit deklaroi se policia po kryen verifikimet, edhe pse ka 8 muaj që banorët denoncojnë paligjshmërinë në kryerjen e punimeve.
Në fakt Komisiarati i Vorës ka bërë kallëzim penal, por jo për mungesën e tabelës së ndërtimit, lejes së zhvillimit dhe lejes së ndërtimit në kohën që firma ka kryer punimet, por ndaj banorëve të Bërxullës. Policia pretendon se banorët kanë protestuar së bashku duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë.
Hetimet
Edhe pse në dokumentat e siguruara nga Prokuroria e Tiranës evidentohet se banorët protestojnë pasi kompania nuk ka leje zhvillimi dhe ndërtimi dhe cënon pronat e tyre, nga institucionet nuk ka patur kallëzim për rastin në fjalë. Prokuroria e Tiranës nuk ka filluar ndjekjen penale ndaj banorëve duke rrëzuar kërkesën e Policisë së Vorës.
Banorët deklarojnë se e vetmja organizatë që ka shprehur interes për ankesat e tyre është Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Nëntorin e kaluar, KShH-ja realizoi monitorimin e situatës në terren dhe kontaktoi institucionet publike duke dalë me raportin e monitorimit në 17 mars. Në raport evidentohet se kompania ka filluar punimet pa patur leje zhvillimi dhe ndërtimi, fakt që provohet nga korrenspondenca midis Komitetit të Helsinkit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Mungesa e lejes së ndërtimit konfirmohet edhe në faqen zyrtare të AZHT-së, ku në mars është publikuar rendi i ditës për miratimin e lejes së ndërtimit për kompaninë “Gener 2” për “Thumanë-Kashar”, 5 muaj pas fillimit të punimeve. Megjithatë më shqetësues është fakti se banorët nuk e dinë në ka dalë VKM-ja e shpronësimit nga Këshilli i Ministrave.
Çfarë ndodh me shpronësimin?
Për të verifikuar çështjen e shpronësimit “Fax News” kontaktoi Agjencinë Shtetërore të Shpronësimit duke i kërkuar informacione për vlerën e shpronësimit të këtyre pronave. ASHSH-ja deklaroi se në Fletoren Zyrtare nr. 58, datë 05.04.2023, është publikuar kërkesa e saj nr. 78/22, datë 5.4.2023 për zonat që preken nga projekti “Ndërtimi i aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të prekur nga realizimi i këtij projekti, do të kompensohen në vlerën totale prej 179 008 557 lekë”, deklaron ASHSH-ja për “Fax News”.
Banorët shprehen se nuk kanë marrë një njoftim të drejtëpërdrejtë për ekzistencën e kësaj kërkese nga ASHSH-ja. Sipas Eriselda Ndrecës, paraligjore tek Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ky fakt që raportohet nga banorët bie në kundërshtim flagrant me vetë nenin 14 të Ligjit Nr. 8561/ 1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar.
“Agjencia Shtetërore e Shpronësimit duhet të kishte njoftuar drejtpërdrejt banorët brenda 10 ditëve nga momenti i dakortësimit të marrëveshjes me subjektin kërkues të shpronësimit”, deklaroi Ndreca për “Fax News”.
Ajo shtoi se në momentin që banorët nuk kanë informacion, ata nuk kanë mundësinë të paraqesin kundërshtimet e tyre. Sipas paraligjores së KShH-së, në këtë mënyrë i hapet rruga miratimit të VKM-së, e cila del me të njëjtat kritere të vendosura në kërkesën për shpronësim nga AShSh-ja. Sa i takon, numrit të banesave të prekura, nga Bashkia Vorë rezulton se nga zbatimi i këtij projekti dëmtohen 23 ha tokë dhe 20 banesa private.
Kush po i kryen punimet?
Në momentin që grupi i xhirimit zbriti në terren, punonjësit e kompanisë u larguan duke braktisur punën. Nga verifikimet e “Fax News”, tek makineritë e firmës ndërtuese evidentohet se kompania që po kryen punimet është me emrin “ALEKSI & AJSI” në emër të Ilir Allmeta.
Për “Fax News”, Ilir Allmeta deklaroi se është nënkontraktuar nga kompania “Gener 2” shpk për të kryer punimet në këtë aks. I pyetur nga redaksia, se pse mungon tabela për punimet dhe si ka punuar pa leje zhvillimi dhe ndërtimi kjo kompani, Allmeta tha se për këto gjëra duhet të kontaktonim kompaninë “Gener 2”.
“Fax News” u përpoq të kontaktonte edhe aksionerin e “Gener 2”, Bashkim Ulaj, por ai ishte i paarritshëm. Për të kuptuar se pse banorëve të Bërxullës nuk u ishte ofruar marrëveshje nga qeveria dhe pse nuk kishte tabelë për ndërtimet, “Fax News” kontaktoi zyrën e shtypit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Por zyra e shtypit e institucionit nuk iu përgjigj asnjërës prej pyetjeve.
Vlera e ulët e shpronësimit
Disa prej banorëve kanë shtëpi 2-3 katëshe, fakt ky që i bën ata të kërkojnë vlerë më të lartë kompensimi se ajo që ka vendosur qeveria Rama me VKM-në e vitit 2016.
“Si ka mundësi që 1m2 vlerësohet me 448 lekë nga qeveria, në këtë zonë kur vlera e tregut shkon nga 70-80 euro?, pyet i habitur Dashamir Voci, banor nga Bërxulla që i preket shtëpia 3 kate me sipërfaqe ndërtimi 130 m2 prej projektit.
Muhamet Dervishi është një tjetër banor që preket shumë nga projekti pasi humbet 8 mijë m2 tokë bujqësore, sipërfaqe e mbjellë me jonxhë.
“Më ka shkuar dëm rreth 1 milion lekë të vjetra pasi e kisha mbjellë me jonxhë, sepse nuk kisha nga të fusja makineri për ta korrur”, deklaron Muhamet Dervishi, i cili kërkon drejtësi në dëmshpërblimin e pronës.
Sipas Eriselda Ndrecas nga KShH-ja, e drejta për shpronësim të drejtë buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Por sa është vlera e tokës?
Në VKM-në e publikuar nga qeveria Rama në 2016, toka arë në Bërxullë vlerësohet me 448 lekë/m2, duke e zhvlerësuar tokën bujqësore sipas banorëve.
Banorët na vendosën në dispozicion një shkresë zyrtare të vitit 2005 nga zyra e regjistrimit të pasurive, e cila i drejtohet Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit të kohës.
“Sipas kontratave të fundit të shitjes së tre muajve të fundit, vlera mesatare e tokës bujqësore është afërsisht 2000-2500 lekë për m2”, shkruhet në letrën nr. protokolli 856, datë 2/11/2005.
Pra, vetëm në vitin 2005 vlera e tokës ka qënë 4-5 herë më shumë se vlera që kabineti Rama ka përcaktuar në 2016. “Fax News” verifikoi kontrata të vitit 2012, ku evidentohet qartë se vlera e tokës bujqësore është gati 15 herë më shumë se vlera e shpronësimit që ofron shteti shqiptar. Në këtë rast, në kontratën e vitit 2012, vlera e tokës bujqësore është shitur me 64.1 euro m2, e cila duhet theksuar se ka ardhur në rritje nga viti 2005 e në vazhdim.
Madje në kontratën e vitit 2022, toka arë është shitur me 50 euro/m2 duke përforcuar vlerën e lartë të tokës bujqësore në Bërxullë. Edhe në raportin e KShH-së evidentohet se banorët meritojnë që shpronësimi i pronës për interesa publike, të bëhet vetëm kur parashikohet në ligj dhe përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
“Rrjedhimisht, zgjidhje të tilla mbartin premisa abuziviste, me pasoja të dëmshme për interesat pronësore të banorëve”, shkruhet në raportin e KShH-së për Bërxullën.
“Fax News” kontaktoi zyrën e Avokatit të Popullit pasi banorët treguan se kanë regjistruar një ankesë në fund të tetorit, por prej 8 muajsh Avokati i Popullit akoma nuk ka dalë me një raport.
Të pyetur për raportin, zyra e Avokatit të Popullit deklaroi se ka patur vonesa nga institucionet publike, por pa specifikuar se cilat institucione ishin bllokuesit konkretë.
“Thumanë-Kashar”, tri herë më shtrenjtë se investimet në BE
Për herë të parë për projekte të tilla, qeveria shqiptare nuk do të financojë projektin koncesionar pasi është investim privat i kompanisë. Kjo specifikohet në kreun 2 të nenit 9 ku thuhet se kompania ndër të tjera ka detyrimin që të sigurojë financimin për zbatimin e Projekt-zbatimit. Në dokumentat e publikuara nga Ministria parashikohet se tarifa, që do të vendoset për rrugën do të jetë e pavarur edhe pse ajo do të duhet të ketë miratimin e autoritetit kontraktor (MIE).
Në kontratë nuk sqarohet nëse personat që vijnë nga Kukësi dhe Kosova do të paguajnë dy herë apo vetëm njëherë. Gjithashtu nuk parashikohet nëse do të ketë rrugë dytësore falas për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë koston e tarifës së koncesionarit.
Për 8 vitet e para të nisjes së operimit, shteti shqiptar i garanton rreth 23 milionë euro të ardhura koncesionit nëse nuk arrin të ardhurat bazë. Në vitin e parë, qeveria do të ofrojë 8 milionë euro, në vitin e dytë garancia e shtetit shkon në 5.6 milionë euro dhe gradualisht duke u zvogëluar deri në vitin 2031 ku shkon 360 mijë euro.
Por rruga kozmike “Thumanë-Kashar” ka shënuar rekord për vlerën e kilometrit duke ia kaluar rrugëve europiane në Letoni dhe Çeki. Investimi 1.3 miliardë euro nga kompania private sjell dyshime për koston që do të paguajnë qytetarët shqiptarë.
Në raportin e Bankës Europiane të Investimeve, zbulohet se ndërtimi dhe mirëmbajtja e Kakava Bypass në Letoni për 20 vite, do tu kushtojë letonezve 14.2 milionë euro për kilometër. Ndërkohë një tjetër kontratë koncesionare e 2021 për ndërtimin e autostradës në Çeki me gjatësi 32 km si dhe mirëmbajtje për 28 vite, do të kushtojë 16.5 milionë euro për kilometër qytetarëve të Bashkimit Europian.
Sipas EUROSTAT, për vitin 2021 Shqipëria rezulton vendi më i varfër në Europë për të ardhurat për frymë si dhe me fuqinë më të ulët blerëse. Por ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Thumanë-Vorë-Kashar” do tu kushtojë qytetarëve më të varfër në Europë 61.9 milionë euro për kilometër, vlerë e cila është të paktën 3 herë më shumë se projektet e rrugëve në vendet e Bashkimit Europian.