Është shtyrë sërish dhënia e vendimit në KPA për Besnik Muçin, prokurorin e Krimeve të Rënda, i cili u dekretua sot për në Gjykatën Kushtetuese nga ana e presidentit Meta.
Shkak për këtë zvarritje të hetimeve është bërë fakti se dy pronarët ku Muçi ka blerë apartamentin dhe makinën, rezultojnë që të kenë precedentë penalë.
KPA i kërkon Prokurorisë për Krime të Rënda nëse pranë këtij institucioni ka patur informacion, nëse Besnik Muçi është përfshirë në trajtimin e informacioneve apo i ka trajtuar producionalisht si prokuror, pasi kjo lidhet me faktin se subjekti ndaj dy shtetasve ka blerë apartament dhe automjet.
Muçi ka paraqitur disa prova të noterizuara, pjesa më e madhe që kanë qenë si prova që në KPK. Për këtë jep vlerësim edhe KP.
Komisioneri Publik: Përsa i përket huas, subjekti ka sjell dokumente për justifikimin dhe ligjshmërinë. Dokumentet sjellin ligjshmërinë, por nuk ka gjë të re.
KPA pyet Muçin: Deri në çfarë shkalle është përmbushur nga ju pagimi i çmimit të apartamentit? Sa detyrim keni akoma të pambyllur, pasi deklaroni se e keni blerë me këste.
Muçi: Deri në fund të 2018-ës, kam paguar edhe 4 mijë euro. Kam pa paguar akoma dhe do likujdohet brenda këtij viti. Mund të marrë një kredi bankare për ta paguar. Kam edhe 14 mijë euro pa paguar akoma.
“Paraqitja për informacion të ardhur pas fazës së parë, është sensitiv dhe i prekshëm. Për opinionin publik dhe padyshim edhe për mua. Gjatë seancave të kaluara, opinionit publik i kemi dhënë një gjysëm të vërtetë, pa i treguar përmbajtjen e informacionit të deklasifikuar tashmë nga DSIK.
Por dua të sqaroj opinionin publik kush janë personat dhe me çfarë akuzohen. I pari është admimistratori i kompanisë, i dënuar për moskallëzim krimi, personi që mua më ka shitur apartamentin mua.
Unë nuk kam fakte për situatën. Personi tjetër i lidhur, është shtetas që unë i kam blerë një mjet. Ai është proceduar dy herë nga Prokuroria. Është dërguar në gjyq për drejtim në gjendje të dehur të mjetit dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. E kisha të vështirë ta gjeja veten në këto fakte të KP dhe shkakun që unë lidhem me ata persona, pasi lidhja ime me ta është vetëm kontraktuale dhe asgjë më tepër.
Opinioni publik është helmuar me këtë informacion gjysëm të vërtetë përgjatë kësaj kohe, deri në momentin kur u deklasifikua dokumenti. Këmbëngulja e KP për ta përdorur si provë nuk ka asnjë vlerë për procesin në fjalë.
Në kushtet kur nuk ka shkak ligjor për t’u pranuar gjatë procesit, vlerësoj që nuk jemi në rrethanat për marrjen e kësaj prove”, është shprehur Muçi më herët gjatë seancës.
(E.K/Faxweb.al)