Nga Lindita Çela – BIRN
E vendosur prej marsit 2016 në një godinë të kuqe 3-katëshe në rrugën e Durrësit, Gjykata e Apelit Administrativ të Tiranës po bëhet gati për një shpërngulje të re. Kancelaria e gjykatës është njoftuar se ndërtesa e shtrirë mbi 700 metra katrorë në qendër të Tiranës duhet liruar brenda janarit, pasi shteti shqiptar ka dalë i humbur pas një beteje 7-vjeçare gjyqësore me trashëgimtarin e njërit prej ish-pronarëve.
Prej vitit 1944, godina e ngulitur në memorien e qytetarëve të Tiranës si një institucion shtetëror ka ndërruar disa herë herë destinacion. Ajo ka shërbyer fillimisht si Prefekturë, më pas si Prokurori e Përgjithshme dhe para se të kthehej në gjykatë, ka strehuar për disa vite Ministrinë e Mjedisit.
Megjithatë, një vendim i vitit 1995 i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, KKKP në Bashkinë e Tiranës i hapi rrugën tjetërsimit të pronësisë së saj permes vendimeve gjyqësore të kontestuara.
Dokumentet e hershme të pronësisë tregojnë se para vitit 1944, prona ndahej gjysmë për gjysmë mes Omer Fortuzit dhe dy shtetasve italianë, Xhuzepe dhe Rafaele Staccioli. Në vendimin e vitit 1995, KKKP ka njohur si pronarë të godinës dhe truallit mbi të cilin ajo është ngritur Fortuzin me ½ dhe italianët me ½.
Avokatura e Shtetit, e cila ka mbrojtur në gjykatë interesat e shtetit shqiptar mbi godinën dhe truallin mbi të cilin ajo ngrihet i tha BIRN se vendimi i parë, i miratuar më pas edhe nga të gjitha shkallët e gjyqësorit ishte i kundraligjshëm.
Sipas Avokaturës së Shtetit, KKKP nuk ka marrë parasysh traktatin e Paqes me Italinë, që trajton edhe pronat e shtetasve italianë, ndërsa akuzon gjykatat për “keqinterpretim të fakteve”.
“Ish KKK Pronave pranë Bashkisë Tiranë, duhet të kishte trajtuar në vendimin e saj pjesën që i takonte ish pronarit Omer Fortuzi për ½ pjesë dhe për Shtetin Shqiptar për ½ pjesë dhe jo siç ka trajtuar duke iu kthyer shtetasve të huaj”, i tha Avokatura e Shtetit BIRN.
“Në bazë të marrëveshjes së Traktatit të paqes, kjo pronësi i ka kaluar shtetit Shqiptar dhe pronar i saj është shteti shqiptar”, shton ajo.
Ndërsa shteti shqiptar vazhdon betejën për gjysmën e pronës, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se struktura e pronësisë ka ndryshuar tërësisht përmes vendimeve gjyqësore që u ndërtuan mbi bazën e vendimit të KKKP-së.
Sot, kjo pronë zotërohet në 4/5 e saj nga Zanmir Hasa, emigrant në Greqi dhe trashëgimtar i bashkëshortes së Omer Fortuzit dhe 1/5 nga Florenc Kola.
Edhe pse rezident në Greqi, Zanmir Hasa nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Trashëgimtar i Alije Fortuzit me vendim të gjykatës greke dhe asaj shqiptare, emri i tij u lakua edhe në çështjen e ish-hotel Vollgës në Durrës, e cila po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Florenc Kola, i cili zotëron sot 1/5 e pronës është bashkëshorti i avokates Flutura Kola, pronare e studios ligjore “Kola & Associates”.
“Kola& Associates” ishte një ndër studio ligjore më të lakuara në Tiranë në vitet 2007-2008 për shkak se zotërohej nga Flutura Kola dhe vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi.
Kalvari i proceseve gjyqësore daton prej marsit të vitit 2004, kur Hasa kthehet në Shqipëri dhe padit në Gjykatën e Tiranës dy shtetasit italianë, Giuseppe dhe Rafaele Staccioli. Objekti i padisë ishte “përpjestimi i pasurisë”, ndërsa gjyqi u zhvillua në mungesë të italianëve dhe të institucioneve shtetërore, që kishin në përdorim godinën.
Sipas vendimit të gjykatës, Hasa ka ngritur pretendimin se trualli nuk mund të ndahej në natyrë dhe në këmbim të gjysmës së pronës, ai ofron dëmshpërblim për bashkëpronarët italianë.
Gjykata e Tiranës i jep të drejtë Hasës me argumentin se “paditësi do ta përdorë godinën për nevoja strehimi të familjes, ndërsa dy bashkëpronarët e tjerë duke qenë shtetas të huaj problemet e banimit i zgjidhin me shtetin e tyre”.
Në vendimin e 2004, Gjykata e Tiranës vendos që prona vlen 4.966.785 lekë dhe urdhëron Zanmir Hasën t’i paguajë bashkëpronarëve italianë gjysmën e kësaj vlere.
Nga viti 2004 deri në vitin 2007, Hasa nuk bën ndonjë lëvizje për zbatimin e vendimit gjyqësor. Por dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në vitin 2007, ai i shet 1/5 e pronës Florenc Kolës dhe një vit më pas nënshkruan një prokurë përfaqësimi me studion ligjore të bashkëshortes së tij, “Kola & Associates”.
Pasi i ka kaluar 1/5 e pronës Florenc Kolës, Zanmir Hasa dorëzon një padi të dytë në Gjykatë duke kërkuar kthimin e godinës dhe dëmshpërblim prej Ministrisë së Mjedisit, që e kishte përdorur atë në vitet 2007-2010.
Më 27 dhjetor 2010, gjykata e Tiranës vendos në një proces të zhvilluar në mungesë të Ministrisë së Mjedisit kthimin e pronës dhe dëmshpërblim në masën 548,605 euro në favor të Hasës dhe 115, 796 euro në favor të Florenc Kolës.
Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë.
Alban Alimema, avokat i Zanmir Hasës dhe Florenc Kolës i tha BIRN se prona e klientëve të tij po mbahet peng nga shteti shqiptar.
“Për këtë çështje, klientët e mi janë me vite dyerve të gjykatave. Dhe pse kanë fituar të drejtën e pronësisë mbi këtë objekt, vendimi nuk ekzekutohet pasi nuk pranon qeveria shqiptare,” tha Alimema.
Por Avokatura e Shtetit pretendon se “prona është përfituar padrejtësisht nga të tretët”. Përveç tjetërsimit të gjysmës së pronësisë, Avokatura e Shtetit shprehet se shteti ka investuar shuma të konsiderueshme parash në godinën ekzistuese, të cilat duhet të merren parasysh.
“Pala e paditur Zanmir Hasa si trashëgimtar i Omer Fortuzit, ka qenë bashkëpronar vetëm i ½ së godinës dy katëshe, dhe jo i gjithë godinës ekzistuese. Mbi ndërtesën ekzistuese nga pronari shtet janë realizuar ndërtime të reja shtesë një kat si dhe është zgjeruar sipërfaqja e ndërtimit prej 105 m2”, tha për BIRN Avokatura e Shetit.
“Investimet e lartpërmendura dhe të bëra nga vetë shteti shqiptar, janë më shumë se 50% e vlerës totale të ndërtesës,”shtohet më tej.
Në maj 2014, Ministria e Mjedisit ka bërë padi në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve gjyqësore që e detyronin të dëmshpërblente me rreth 650 mijë euro pronarët e rinj, paralelisht me lirimin e godinës. Sipas Ministrisë së Mjedisit, vendimet gjyqësore ishin dhënë në mungesë të saj.
Në maj të vitit 20015, Gjykata Kushtetuese e rrëzon kërkesën me argumentin se Ministria “nuk legjitimohet për vënien në lëvizje të këtij gjykimi kushtetues”.
Në mars të vitit 2015, Ministria e Ekonomisë i kërkon gjykatës që të anulojë vendimin e KKKP dhe të shpallë të pavlefshëm aktin e shitjes mes Zanmir Hasës dhe Florenc Kolës si dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi pronësinë deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Në nëntor 2015, Gjykata e Apelit me relator Alaudin Malaj e hedh poshtë këtë kërkesë. “Pretendimet lidhur me pavlefshmërinë absolute të vendimit të Komisionit janë shqyrtuar deri në Gjykatën Kushtetuese dhe janë hedhur poshtë në çdo shkallë gjykimi,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nuk pranoi të komentojë këtë vendim. Zëdhënësi i këtij insitucioni i tha BIRN se nëpërmjet Avokaturës së Shtetit është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, por ende nuk dihet se kur do të fillojë procesi gjyqësor.
Avokati i palës kundërshtare, Alban Alimema thotë gjykatat i kanë dhënë të drejtë klientëve të tij për të marrë në administrim pronën.
“Gjykata e Shkallës së Parë i ka dhënë të drejtë klientëve të mi, pra që duhet të marrin në administrim pronën. Në Apel besoj se çështja do të gjykohet vitin tjetër,” përfundoi ai.