Me 5 mars të vitit 1998, policia dhe ushtria serbe nisi një ofensive brutale ndaj ushtarëve të UÇK në zonën e Prekazit, të cilët u grumbulluan të gjithë në kullën e komandantëve të tyre, Adem dhe Hamëz Jashari. Pas 3 ditësh luftime, mbi 20 anëtarë të familjes Jashari mbetën të vdekur. Pati vetëm pak fëmijë të mbijetuar. Mes tyre, edhe djali i heroit, Hamëz Jashari, Bekimi, i cili sot është kryetar i komunës së Skenderajt.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, ai ka rrëfyer detaje të panjohura deri tani nga lufta e Jasharëve për liri, dhe për 3 ditët betejës heroike të marsit të para 22 viteve.
Bekimi, ka dalë për herë të parë në një emision televiziv për këtë çështje.
“Qysh ditën e parë, Bashkimi tregon se e ka parë që i ka dalë tymi. E ka pyetur Hamzën se çfarë po ndodh. Hamza i ka thënë se Ademi e ka kallur një tank”.
“Ka shumë dëshmi që familja ime e ka paguar vetën me 20 fish”.
“Një kushëri që ka qëndruar në kulmin e shtëpisë derisa ka përfunduar ngjarja, tregon se Hamza me murtajë i ka kallur 50 prej tyre”.
Bekimi thotë se edhe Besarta rrëfen se kur e kanë marrë serbët, ajo ka parë shumë prej tyre të shtrirë në tokë.
Ai thotë se edhe një familjare që ka punuar në Spitalin e Mitrovicës ka treguar për rrëfimin e një komandanti të plagosur.
“Ata nuk e kanë ditur se ajo është shqiptare. Ajo tregon se komandanti ishte shumë i inatosur. Sipas saj, ai kishte thënë: “Kam luftuar edhe në Kroaci, por si është e mundur që të na vrasë një 13 vjeçar”.
Anëtari i Familjes Jashari thotë se vetë fakti që luftimet kanë zgjatur tri ditë, është i mjaftueshëm për të treguar se aty ka pasur luftë të fortë.
Biseda e fundit me babain Hamzën, 3 ditë para luftës
Biseda ishte e fokusuar në masakrën që forcat serbe kishin bërë në Likoshan. Ishte shumë i tronditur, rrefen Bekimi. Më tha troç: “A e mban mend kur ka luftuar Tahir Meha. Ai ka thënë kur të luftoj unë do të shkruajnë shtatë gazeta. Më tha edhe te na nuk do të shkojë larg. Kur të luftojë unë, jo shtatë gazeta por e gjithë bota do ta merr vesh”. Ashtu ndodhi, nuk shkoi larg.
Bekimi thotë se tërë kohën dyshonin se ishin të përgjuar pasi e kishin në lagje telefonin fiks.
Ai thotë se kanë përdorur gjithmonë emra anonim kur është bërë fjalë për armë apo gjëra sensitive.
“Babi e mbante pseudonimin “Dyl Mehmeti” për shkak të një roli që ka luajtur në një dramë”.
I pari i Skenderajt thotë se Adem Jashari nga familja thirrej me pseudonimin “Syla” si sinonim i Sylejman Vokshit që kishte mustaqet e mëdha.
Bekim Jashari ka rrëfyer për herë të parë se në vitin 1991 Adem Jashari me një grup tjetër shqiptarësh dërgohen për stërvitje në Shqipëri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
“LDK-ja e asaj kohe kishte marrëveshje me një grup aktivistësh të çështjes kombëtare që kanë jetuar në Zvicër për t’u stërvitur në Shqipëri. Shqipëria në atë kohë drejtohej ende nga Ramiz Alia”.
Djali i Hamëz Jasharit thotë se të gjithë ata që shkonin në këto stërvitje kishin marrë një premtim se nëse kthehen në Kosovë dhe dekonspirohen, strukturat shqiptare politike [LDK] të kohës do të kujdeseshin për familjarët e tyre me avokatë apo edhe përkujdesje tjetër derisa “të bëhen të zotët e vetës”.
“Fatkeqësisht asnjë nga këto premtime nuk u realizuan”.
Bekimi tregon se grupet u dekonspiruan dhe shumë nga të stërviturit u arrestuan ndërsa forcat serbe kryen mbi familjen Jashari sulmin e parë masiv në përpjekje për të arrestuar Adem Jasharin.
“Sulmi ishte pa paralajmërim dhe u bë në ora 5 të mëngjesit…Kishte luftim rreth gjysmë ore. Por ne djemtë e ri ishim në odë dhe asgjë nuk kishim dëgjuar për shkak se ishte shumë e izoluar”.
Bekim Jashari në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka treguar se në vitin 1990 në Prekaz filluan të bëheshin roje gjatë natës. Ai tregon edhe disa episode të pakëndshme që kishin pasur me zyrtarë të LDK-së dhe KMDLNJ-së.
“Kish ardhur në atë kohë njerëz nga LDK-ja dhe KMDLN-ja duke na thënë nuk është mirë për një shtëpi të shkojë komplet një lagje. E mbaj mend si sot kur një zyrtarë na tha: “Nuk bëhet gazepi që për një shuplakë që i japin Shabanit të shkojë krejt lagjja”. Pasi kanë shkuar ata kanë reaguar babushi dhe baca Adem pasi kishin shkuar ata zyrtarë: Nëse dëshironi të mbroni familjet tua qëndroni, nëse jo, nuk keni nevojë të na mbroni neve. Ne kështu kemi vendosur”.
Anëtari i Familjes Jashari thotë se ky ishte momenti kur filluan krisjet e familjes Jashari me LDK-në.