Në një ceremoni solemne me karakter ushtarak, 350 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) bënë sot betimin e tyre, duke shënuar përfundimin e trajnimit nëntë-javor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Nga ky moment, ata janë zyrtarisht pjesë e radhëve të FSK-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përshëndeti këtë arritje përmes një mesazhi urimi, duke theksuar se “Ushtria jonë rritet me guxim dhe Kosova ecën përpara me krenari”, ndërsa vlerësoi përkushtimin e rekrutëve për t’i shërbyer vendit.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët dëshmuan aktin solemn të betimit të rekrutëve, të cilët shprehën vendosmërinë e tyre për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës me nder dhe përgjegjësi.