Gjeodeti Romeo Nazarko bëri thirrje që të ndalet betoni pas tërmetit. Gjatë një interviste të dhënë në studion e FaxNews, Nazarko deklaroi se nëse betoni nuk ndalohet, atëherë kjo do të krijojë pasoja afatgjata për token dhe do të jetë e rrezikshme.
“Përsa i përket pjesës së pas-tërmetit konstatoj një organizim të çorganizuar. Ne sot përmes telefonit në kohë reale mund të tregojmë me fotografi gjendjen. Por ne po shohim grupe të ndryshme në një objekt. Në asnjë ndërtesë, në asnjë pallat nuk duhet të hidhet beton sepse pas tërmetit mund të shkaktohet edhe përmbytje. Një masë e tillë u mor në vitin 2000 kur unë vetë përjetova një tërmet të fuqishëm.
Betoni në mënyrë kategorike duhet të ndërpritet sepse çdo lëvzje e tokës sjell pasoja jo vetëm afatshkurtra, por edhe afatgjata. Fajtor nuk mund të jenë vetëm ndërtuesit, por edhe aparati shtetëror që merret me certifikimin e objekteve të ndërtuara”, tha inxhinieri në studion e FaxNews.
Ai kërkoi nga qeveria që të krijojë menjëherë urdhrin e inxhinierëve me qëllim që të ketë një kontroll më të madh për ndërtimet.
“Drejtoria e Licencimit licencon inxhinierët që të bëjnë kolaudimin e një objekti. Duhet të ketë inxhinierë të të gjitha fushave. Në Shqipëri nuk ka kontroll nga Drejtoria e Licencimit dhe kompanitë i marrin licencat me tarifa qesharake. Ne duhet të ndalojmë abuzimin që bëhet me procesin e licencimeve. Duhet të krijohen urdhra respektivë që të licencohen dhe të stabilizojnë këtë proces.
Krijimi i urdhrit të inxhinierit duhet të jetë prioritet i qeverisë. Sepse ne licencojmë, por asnjë nuk mban përgjejgësi. Ka një drejtori, por asnjë kontroll nuk bëhet. Kujtohen vetëm në rastin kur ndodh një fatkeqësi. Krijimi i urdhrit të inxhinierit është një nga gjërat immediate sepse po disktojmë edhe për vitet e ardhshme”, deklaroi Romeo Nazarko për FaxNews.
(M. I./ Faxweb.al)