Lealba Pelinku, drejtoreshë e departamentit antikorrupsion në Partinë Demokratike, ka qenë e ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News, ku ka komentuar betonizimin e Tiranës.
Një nga projektet më të diskutuar është padyshim ai i fushës së Gardës pranë Liqenit Artificial, ku sipas Pelinkut, Veliaj ka një plan për ndërtimin e kullave shumëkatëshe.
E pyetur nga gazetarja Armela Ferko nëse PD do ti çojë denoncimet e saj në Prokurori, Pelinku u shpreh se organi i akuzës është pothuajse inekzistent në lidhje me hetimet.
“Plani i betonizimit të Veliajt, është vijimi i punës së lënë në gjysmë nga Edi Rama kur drejtoi për 10 vite Bashkinë e Tiranës. Të gjithë jemi dëshmitarë të masakrës urbanistike që pësoi Tirana, që shumë zona mbetën të paaksesueshme nga zjarrëfikëset dhe ambulancat.
Duhet thënë që ashtu si modeli i Ramës që e përdori lejen e ndërtimit për të forcuar pozitat e tij në krye të Partisë, ashtu po bën sot dhe pasardhësi i tij Veliaj. Rama erdhi në krye të partisë me moton një leje një pallat.
Plani rregullues i Tiranës në Prill të 2017-tës, tregon se kjo dyshe ka vepruar si një sekt, me një grup të ngushtë njerëzish. Plani u prezantua nga Boeri, emër i dëgjuar për aferën e Stadiumit Kombëtar.
Në planin e publikuar në faqen e Bashkisë së Tiranës, fusha e gardës është dhënë për ndërtim, dhe nuk ka asnjë lartësi që mund të jetë e kufizuar në kate.
Është planifikuar që të ketë një rrugë brenda parkut që është zonë e mbrojtur, çka do të sjellë edhe prerjen e pemëve. Ka një denistet të shtuar të popullsisë në këtë zonë, dhe e marrim të mirëqenë se rruga duhet, pse kjo rrugë të mos kalonte mes përmes fushës së gardës?
Kjo zonë është lënë e gatshme për të zbatuar planin që do të ndërtohen kulla. I njëjti plan është zbatuar dhe pedonalja e Tiranës, nga një zonë për të kaluar këmbësorët, do të bëhet në një rrugë kalimi për makinat.
Aty është dhënë leje për ndërtimin e kullave te Sahati, si dhe ka një plan për kompleks kullash në zonën e Teatrit, dhe në këtë moment i duhet një shfryrje zonës, duke e kthyer në rrugë kalimi makinash pedonalen.
PD ka qenë konseguente në denoncimet e saj për atë që po ndodh me betonizimin e qytetit të Tiranës, ne kemi vijuar me denoncimet po duhet të kemi parasysh dhe rolin e prokurorisë që është inekzistente”, u shpreh Pelinku.
(E.K/FAXWEB.AL)