26 raste të reja me Covid 19 janë zbuluar në orët e fundit në Tiranë. Nga këta persona 20 janë pjesë e QSUT-së, personel mjekësor dhe pacientë, gjendja e të cilëve sipas Ministrisë së Shëndetësisë paraqitet e qendrueshme.
Nga 20 rastet e reja në QSUT 12 janë personel mjekësor, të gjitha pa shenja të shfaqura të sëmundjes, dhe 8 të tjerë pacientë në repartin e sëmundjeve të brendshme. Ka qenë një infermiere që është zbuluar pozitive ditën e hënë, ajo që ka sjellë dhe zinxhirin e infeksioneve brenda vetë QSUT-së.
Vlen të theksohet se prej disa ditësh tashmë Tirana është i vetmi qytet që shënon numër relativisht të lartë të rasteve, dhe në qytetet e tjera numri i të infektuarve ka shkuar pothuajse në zero, me vetëm ndonjë rast sporadik në Shkodër apo në Durrës.
Po ashtu lajm i mirë është se numri i të shtruarve në Infektiv është një më pak se dje, duke bërë të kuptohet se agresiviteti i sëmundjes ka rënë. Nga e hëna do të ketë një heqje të masave kufizuese, dhe liri lëvizje në të gjitha qytetet, si dhe në ditët e para të Qershorit do të bëhet dhe hapja e plazheve dhe e kufijve me shtetet fqinje.
Njoftimi i plotë: Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë rradhazi pa raste të reja.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë. Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.
Nderkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40. (E.K/Faxweb.al)