Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë para mediave pas mbledhjes së kryesisë së kësaj force politike, ka thënë se LDK’ja do të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
E gjitha kjo vjen pas shkarkimit që Kurti i bëri ministrit të brendshëm Agim Veliu.
“Patem mbledhjen e kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA’në, si rezultat i mos heqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni.
Gjithashtu e trajtuam edhe problemin që sot ka lind me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot në mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK’ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti”, është shprehur Mustafa.
Mustafa tha se Kurti nuk respektoi marrëveshjen e koalicionit duke mos u konsultuar fare me kryetarin e partisë në koalicion për ta shkarkuar një ministër të saj.
“Sot është shkarkuar një ministër i LDK’së, në kundërshtim me marrëveshjen për koalicion. Nëse kryeministri ka vërejtje për ministrat e LDK’së, duhet të konsultohet me kryetarin e LDK’së fillimisht, e nuk ka ndodhur të konsultohet me mua”, tha Mustafa, ç’ka duket se i jep fundin dhe koalicionit qeverisës.
(E.K/Faxweb.al)