Policia e Lushnjes ka dhënë njoftimin zyrtar për sherrin mes të afërmve në fshatin Garunjas, ku dy vëllezër kanë qëlluar me armë drejt një familje, duke vrarë një prej djemve, e duke plagosur babanë e tij si dhe dy vëllezër të tjerë.
I vrarë ka mbetur shtetasi Romeo Hasalla 30-vjeç, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur babai Shuaip Hasalla 65-vjeç dhe dy vëllezërit Emiljano Hasalla dhe Laert Hasalla, 31 vjeç.
Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, vëllezërit Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla, të cilët pasi kanë qëlluar me armë ndaj kushërinjve të tyre janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se personat e përfshirë në konflikt, kanë pasur vazhdimisht probleme për shkak të parcelave të tokave që i kanë në afërsi mes tyre, dhe situata degjeneroi mëngjesin e sotëm në përdorimin e armëve.
Mëngjesin e sotëm ata kanë shkuar si zakonisht për të punuar në tokat e tyre, dhe pasi gjakrat janë nxehur, vëllezërit Afrim dhe Kastriot Hasalla kanë marrë çiften dhe kanë qëlluar në drejtim të kushërinjve të tyre, të cilët dyshohet se kanë qenë të paarmatosur.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç,(babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç(vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër).
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç(vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.
Konflikt për pronat mes të afërmve në Lushnje, 1 i vrarë dhe 3 të plagosur (Emrat)
(E.K/Faxweb.al)