Pak ditë para fillimit të aktivitet politik në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbledhë grupin e vjetër dhe atë të ri parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas informacioneve të siguruar nga Fax News, mbledhja do të zhvillohet sot në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat.
Ndërkohë, mësohet se temë e diskutimit në këtë mbledhje do të jetë bilanci i mandatit të dytë, si dhe objektivat për qeverinë e re. Kjo mbledhje, vjen pasi zëvendëskryeministri Erion Braçe dha dorëheqjen nga posti i tij, dhe Najada Çomo refuzoi të merrte mandatin e deputetes, duke vazhduar detyrën e Drejtoreshës së Spitalit Infektiv.
Pas fitimit të zgjedhjeve, Rama i ka shtrirë dorën për bashkëpunim Partisë Demokratike, por kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha, nuk e ka pranuar diçka të tillë, pasi i konsideron zgjedhjet e manipuluara.
Kryeministri Edi Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, teksa Partia Socialiste siguroi 74 mandate. Partia Demokratike, do të jetë në opozitë edhe në 4 vitet e ardhshme, dhe do të ketë 59 deputetë në Kuvend.
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Social Demorkate, siguruan përkatësisht 4 dhe 3 mandate.