Nga Klodian Tomorri
Një pjesë e madhe e shqiptarëve e nisën këtë të mërkurë duke lexuar editorialin e Kryeministrit Edi Rama në Wall Street Journal. Përmes gazetës së njohur amerikane, kreu i qeverisë shpalli publikisht se Shqipëria do të mbështesë projektin për krijimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike në Ballkan.
Në fakt, kjo është një nismë e pazakontë deri në kufijtë e të çuditshmes. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë sakaq pjesë e një marrëveshje të përbashkët të tregtisë së lirë, që njihet me emrin CEFTA. Shqipëria dhe Serbia tregtojnë me njëra tjetrën pa pengesa, ashtu si të gjitha vendet e tjera të rajonit, ndërmjet tyre.
Atëherë përse duhet një zonë e lirë ekonomike? Përgjigja është e lidhur me zhvillimet politike brenda Bashkimit Europian.
BE është e kapur në një kurth, gati pa zgjidhje. Nga njëra anë vendet ekzistuese nuk pranojnë antarësime të reja. Nga ana tjetër, Unioni nuk do që të humbasë ndikimin e tij në Ballkan, çka do t’i linte hapsirë influencës së Rusisë. Një skenar i ngjashëm me “Armiku tek Porta”, vetëm se këtë herë rreziku nuk vjen nga Perëndimi, por nga Lindja.
Janë pikërisht këto konjuktura, që e bëjnë Zonën e Përbashkët Ekonomike të Ballkanit një projekt me leverdi për Bashkimin Europian, i cili me një gur do të vriste dy zogj. Së pari do të qetësonte aspiratat e vendeve të rajonit për antarësim dhe së dyti do të përmbante influencën ruse.
Pas BE-së fituesi i dytë nga ky projekt është Serbia. Shumë analistë të pavarur ndërkombëtar besojnë se Zona e Përbashkët Ekonomike është në fakt rilindja e Jugosllavisë së vjetër. Sigurisht jo në konceptin e shtetit, por si një union doganor dhe transporti, këtë herë me Shqipërinë apandesit.
Në këtë konfigurim të ri Serbia do të shndërrohej vendi më i rëndësishëm i Ballkanit, në të gjitha aspektet, përfshirë atë ekonomik dhe politik. Nuk është rastësi që ideja për Zonën e Përbashkët Ekonomike në Ballkan ka ardhur pikërisht nga Vuçic. Dhe po ashtu nuk nuk është rastësi, që përfituesi kryesor i paketës 1 miliardë euro të investimeve nga BE është pikërisht Serbia.
Në samitin e Triestes do të diskutohen 6 projekte të mëdha infrastrukturore. Mes tyre Korridori i 8-të që lidh Bullgarinë me Maqedoninë, rrugët ujore Serbi-Bosnje, si dhe linja e gazit Serbi-Bullgari.
Shkurt, çdo investim i BE-së kalon përmes Serbisë dhe asnjëri prej tyre nuk mbërrin në Shqipëri. Pwr mw tepwr, përveç parave, BE i tregoi edhe një tjetër karrotë Serbisë. Atë të negociatave për antarësim, ndërsa për vendet e tjera Johanes Hahn deklaroi se janë ende shumë larg antarwsimit. Kjo përbën shuplakën e dytë për Shqipërinë.
Pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare ka deklaruar mbështetjen pa kushte të projektit për Zonën e Përbashkët Ekonomike. Deri tani ky është bilanci i Shqipërisë në Trieste. Një editorial dhe dy shuplaka.