Ky sezon turistik ka qenë fatal për një numër të madh turistësh që kanë pushuar në vendin tonë. Peshën më të madhe të humbjeve e mbajnë pushuesit nga Kosova, për të cilët bregdeti shqiptar ka rezultuar të jetë fatal për ta. Megjithatë vikimat nuk janë vetëm nga Kosova, por edhe të huaj që kishin ardhur për pushime në vndin tonë.
Viktima e parë është shënuar në datën 21 qershor. Një burrë 63-vjeçar kishte rënë pa ndjenja në plazhin e Durrësit, ndërsa kishte vdekur rrugës për në spital. I ndjeri ishte banor i Rrogozhinës.
Ndërsa 1 javë më vonë, më 28 qershor një 78-vjeçar humbi jetën ndërsa po lahej në plazhin e Vlorës. Burri, me vendbanim në Fier, ishte nxjerrë nga uji për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe kishte ndërruar jetë pak minuta më pas. Sërish dy viktimat e radhës janë nga Kosova. Një burrë 46-vjeç nga Kosova ishte nxjerrë nga uji në Tale të Lezhës nga pushues, të cilët e kishin parë se gjendej në vështirësi. Rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.
Një 75-vjeçar nga Kosova kishte gjetur vdekjen në plazhin e Velipojës në Shkodër. I moshuari dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Korriku do të shënonte dhe ngjarjet më të bujshme të mbytjeve në det.
9 korriku ishte dita e fundit e jetës edhe për 40-vjeçarin nga Kosova ai u rrëmbye nga uji së bashku me vajzën 7- vjeçare derisa ishte duke bërë plazh në vendin e quajtur “Ura me dërrasa”. Vajza arriti të shpëtojë nga shërbimet e policisë.
Pas tij përsëri një pushues nga Kosova humbi jetën në plazhin e Velipojës teksa qëndronte nën çadër.
Ngjarja më e rëndë do të vinte më 15 korrik ku në Vlorë humbën jetën 4 vetë. Ngjarja ndodhi në plazhin e Zvërnecit ku viktimat ishin dy femra dhe një mashkull. Ata u identifikuan si Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë. Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Beniamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni. Gjatë po kësaj dite në Vlorë një 14-vjeçar u mbyt në zonën e Ujit të Ftohtë.
Java tragjike vazhdoi. Pesë ditë pas tragjedisë së parë, një 35-vjeçar nga Kosova humbi jetën pranë plazhit të Velipojës, në bregun veriperëndimor. Sipas policisë, burri hyri në ujë për të shpëtuar gruan e tij ndërsa ishte në rrezik, por u mbyt, ndërsa gruaja mbijetoi.
Një ditë më vonë, një vajzë 15-vjeçare nga Rusia u mbyt në plazhin e Ksamilit. Trupi i adoleshentes ishte goditur nga një skaf uji në kokë.
Më vonë, më 21 korrik, një turist sllovak 66-vjeçar humbi jetën në plazhin Golem në Durrës. Sipas Policisë ai ishte goditur nga një atak në zemër. Kjo ishte java më e rëndë ku u mbytën 7 persona.
Por tragjeditë në bregdetin shqiptar nuk u ndalën këtu. Madje numri i lartë i tyre u shndërrua edhe në luftë politike ku opozita i kërkonte llogari qeverisë për mbytjet në det, e cila e kalonte çdo rast në heshtje.
Kështu gjysma e muajit gusht do ta gjente Shqipërinë me një bilanc vërtetë tragjik ku kishte regjistruar 22 viktima deri më 15 gusht.
Zhytësi me eksperiencë nga Kosova Ismajl Kasumi i shqetësuar për numrin e lartë të shqiptarëve të mbytur nga Kosova, do të deklaronte se mbytjet vinin si pasojë e mungesës së rojave në bregdetin shqiptar.
“Gjithë këto raste të mbytjeve janë një tragjedi. Në bregdetin shqiptar nuk janë të precizuara vendet deri ku mund të notojnë qytetarët, mungojnë shpëtimtarët dhe nuk ka vrojtore. Do të apeloja tek të gjithë pronarët e plazheve që të precizojnë këto zona sa më shpejt. Ndryshe apeloj tek qytetarët mos t’i bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar”, deklaronte ai.
Por bilanci tragjik nuk mbaron këtu, më 16 gusht një tjetër fëmijë 10 vjeç do të mbytej në plazhin e Zvërnecit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 23.
Afërsisht çdo 3 ditë ka pasur nga një viktimë, vërtetë një mesatare e frikshme, që tregon shumë për mungesën e përgjegjësisë nga ana e autoriteteve.
Edhe pse numri i viktimave po rritej rojet bregdetare nuk po viheshin në plazhet që po merrnin jetë e pushuesve. Ndërkohë projekti i rojeve bregdetare shpallur me bujë 2 vjet më parë rezultoi një dështim total dhe në mënyrë sporadike qytetarët vinin vetë shenja në plazhe ku tregonin rrezikun e dallgëve.
Shteti shqiptar? Thjesht dergonte autoambulancat për të mbledhur trupat. (B.H/Shuplaka)