Tashmë nuk është më sekret, për shqiptarët, rimodelimi i hundës është preferenca e parë e kirurgjive plastike, shifrat e të cilave po rriten çdo vit. Tendenca që po rritet edhe më shumë është përdorimi i botox për rrudhat, si dhe mbushësve për buzët. Shifrat e importit tregojnë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre në vitin 2016. Kjo tendencë mbështetet nga lëvizja “anti-plakje” që po ndodh kudo në botë. Aktorët kryesorë të tregut thonë se tregu informal po dëmton shëndetin e shqiptarëve, në përdorimin e produkteve të pakontrolluara…
Nga Deada Hyka
Në Itali, përdorimi i silikonit për fryrjen e buzëve është ndaluar që në vitin 1992, por dr. Skerdilajd Faria thotë se në vendin tonë ka ende raste që kryhen pa kriter në sallone bukurie dhe që klientët e pakënaqur u drejtohen klinikave të mira në fund, me shpresën për të korrigjuar, atë që shpesh është e pakthyeshme. Dr. Skerdi shton se mungesa e një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar e bën këtë sektor të ekspozuar ndaj personave jo të kualifikuar që të kryejnë ndërhyrje të tilla. Ata që në fund dëmtohen janë gjithnjë klientët, shpesh të painformuar ose të joshur nga një çmim më i lirë.
Megjithatë, mendësia e shqiptarëve ka ndryshuar dhe pjesa më e madhe e tyre u drejtohen klinikave kryesore të specializuara në vend për ndërhyrje estetike plastike. Dr. Irena Savo, nga Klinika Vivia, pohon se përveç mendësisë, edhe informimi ka ndikuar në rritjen e kërkesave të shqiptarëve për ndërhyrje të tilla. Sipas saj, janë më të informuar edhe për produktet që përdorin, ndaj dhe aplikimet e injeksioneve të fytyrës për anti-plakje, janë shërbime që bëhen me më pak komplekse.
Në klinikën Keit, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e 8,000 ndërhyrjeve në muaj, shifër e cila tregon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike. Nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe të huajt që kërkojnë shërbime të tilla në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë: çmimi më i lirë. Në vendin tonë po strukturohet, gjithnjë e më i organizuar, turizmi shëndetësor. Klinikat bëjnë tërheqjen e klientëve të huaj, në formën e paketës gjithëpërfshirëse: ndërhyrja, post-operacioni, hoteli, ushqimi etj.
Kërkesat, në rritje
Është rritur prirja e përdorimit të trajtimeve kundër plakjes dhe kërkesa për të qenë dhe për t’u dukur më të rinj, janë nxitësit kryesorë për rritjen e tregut. Duke i kushtuar kujdes pamjes së jashtme, gratë janë ato që përbëjnë 91% të klientelës së klinikave të ndryshme. Megjithatë, si trend botëror, edhe numri i ndërhyrjeve të kryera në meshkuj po rritet me shpejtësi. Rritja e ndërgjegjësimit të ndërhyrjeve të ndryshme të fytyrës, teknikave të reja dhe efekteve të menjëhershme në pak kohë, shihen si arsye të rëndësishme që po nxisin rritjen e tregut. Lojtarët kryesorë të këtij tregu tashmë janë të shumtë, që nga spitali shtetëror “Nënë Tereza” deri te spitalet private, klinikat më të vogla të orientuara vetëm te ndërhyrjet plastike e në fund te disa sallone që, në mënyrë formale apo informale, bëjnë ndërhyrje në buzë apo trajtime anti-rrudhë.
Nga klinika Euromedica pohojnë se dy janë kërkesat më të shpeshta në fushën e kujdesit estetik, fillerat apo mbushësit kozmetikë, si dhe botox. Sipas tyre, injeksionet anti-rrudhë me botox kërkohen më së shumti pas moshës 30, në zonat ku mimika luan rol për forcimin apo shfaqjen e tyre para kohe. Zonat ku aplikohen më tepër janë në mes të vetullave, zonat anës syve, anës buzëve, si dhe balli. Ndërsa fillerat janë injeksione mbushëse të rrudhave dhe kërkohen kryesisht në zonën e ballit dhe syve. Dr. Silvana Vishaj thotë se vitet e fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase me metodat më të fundit, i jep jetëgjatësi ndërhyrjes. Sipas saj, përdorimi i acidit hyaluronic, i cili është një acid që e prodhon trupi, është një ndër arritjet më të mëdha të fushës së estetikës plastike, që i jep mundësi njerëzve që të marrin shërbimet më të mira, pa risqe.
“Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta të cilat nuk shkaktojnë dhimbje mund të arrihet rinimi dhe perfeksionimi i portretit. Favori tjetër i këtyre metodave është që nuk kërkojnë rikuperim, zgjat 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm, pa pasur nevojë për pushime. Këtu bëjnë pjesë korrigjimi i rrudhave nëpërmjet injeksioneve, zmadhimi dhe rimodelimi i buzëve, i mollëzave, rikonturimi i fytyrës dhe të gjitha trajtimet e rinimit të lëkurës”,- thotë dr. Vishaj.
Ajo shton se botoxi po eliminon diferencën e brezave dhe po nis të aplikohet që pas moshës 25-vjeçare, deri në moshën 65-vjeçare.
Importet
Drejtuesit e klinikave kryesore në vend tregojnë që produktet e tyre janë kryesisht me origjinë nga Italia. Klinikat zgjedhin Italinë duke marrë në konsideratë që aktiviteti i tyre lidhet me vendin tonë fqinj. Po ashtu, edhe stafi mjekësor vjen nga Italia.
Nga të dhënat e dy viteve të fundit të Doganave (Comtrade), vihet re rritjen e ndjeshme në vlerë e importit të produkteve që përdoren për ndërhyrje estetike plastike të fytyrës kryesisht. Në vitin 2016 janë importuar rreth 595 mijë dollarë produkte ‘botox, filler dhe të tjera’, me një rritje prej thuajse 52% nga viti i mëparshëm i raportuar. Sa i përket peshës së tyre, diferenca mes viteve është po ashtu në rritje, por vihet re një ndryshim i lehtë, gjë që konfirmon rritjen e çmimeve për produkte të tilla.
Partneri kryesor tregtar për importet e këtyre produkteve është Danimarka, në të dyja vitet e raportuara 2015 dhe 2016, me më shumë se gjysmën e peshës së importeve. Ndërsa të tjera vende janë Franca, Gjermania, Italia, si dhe SHBA, gjë që tregon edhe angazhimin për përfshirjen në treg të produkteve më cilësore se më parë në fushën e kirurgjisë plastike. Një diferencë ndihet nga viti 2013, ku importohej dhe nga India.
Tregu informal
Nuk përbëjnë më habi sallonet apo qendrat e bukurisë që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, në fushën e mjekësisë estetike. Në disa raste janë evidentuar se operojnë në informalitet, duke mos përdorur materiale të kontrolluara.
Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. Mjekët tregojnë se mbetet sfidë për ta që të përpiqen që të ofrojnë një ndihmesë post-ndërhyrje për të tillë individë që bien ‘pre’ e salloneve informale, të cilat në rastin më të mirë përdorin materiale të lira, ndërsa moment i pakthyeshëm mbetet aplikimi i silikonit në to, tërësisht i ndaluar nga mjekësia kudo në botë.
Dr. Faria thotë se për këtë ndikon mungesa e një ligji që do të mund të rregullonte tregun dhe do të sillte stabilizim dhe vendosje standardi në këtë sektor. “Duke qenë se mungon ligji, gjithçka mbetet evazive. Është e habitshme në ditët e sotme, por ndodh. Ka sallone apo qendra që operojnë në informalitet të plotë dhe që u injektojnë klientëve produkte shumë të dëmshme për shëndetin si silikoni. Veprim totalisht i pakthyeshëm, nuk kemi çfarë të bëjmë në këto raste”,- thotë ai, duke shtuar se jo pak herë, këto sallone kanë kërkuar “kurse” nga spitalet private në vend.
Rreziqet
Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. Mjekët tregojnë se mbetet sfidë për ta që të përpiqen që të ofrojnë një ndihmesë post-ndërhyrje për të tillë individë që bien ‘pre’ e salloneve informale, të cilat në rastin më të mirë përdorin materiale të lira, ndërsa moment i pakthyeshëm mbetet aplikimi i silikonit në to, tërësisht i ndaluar nga mjekësia kudo në botë.
Pse shqiptarët zgjedhin botox?
Botox përdoret në kirurgjinë estetike për të eliminuar rrudhat e fytyrës të shkaktuara nga tkurrja e muskujve të mimikës, duke zbutur kështu ose duke eliminuar rrudhat midis vetullave, rrudhat e ballit dhe përreth syve. Sipas ekspertëve të fushës, është ndërhyrja joevazive më popullore dhe me më –pak efekte anësore, e shpejtë dhe efektive për të marrë rezultatin e kërkuar.
Dr. Ireva Savo, estetiste dermatologe pranë Klinikës Vivia, thotë për “Monitor” se përdorimi i botox është përhapur me shpejtësi kudo në botë, duke qenë se rezultatet me aplikimin e tij fillojnë të duken shumë shpejt, ndonjëherë 3 ditë pas trajtimit, ndërsa efekti me një dozë zgjat deri në 6 muaj. Sipas saj, është një veprim i kthyeshëm, që do të thotë se n.q.s. klienti vendos të mos e përdorë më, gjithçka kthehet në normalitet, ndërsa gjatë kohës që zona e fytyrës ka qenë në efektin e botox, janë parandaluar rrudhat e radhës.
“Në momentin që ju vendosni të mos e vazhdoni trajtimin me botox, ktheheni në gjendjen që ishit para trajtimit ndërkohë, keni shmangur krijimin e rrudhave të reja gjatë kohës që keni qenë nën efektin e botox-it”, – thotë ajo, gjë që ndryshon shumë nga përdorimi i materialeve të dëmshme.
Dr. Savo thotë se një ndër pyetjet kryesore që i bëhen, duke marrë shkas nga stereotipat e dikurshëm, është se a do të ndryshojë mimika e fytyrës. “Pavarësisht se rezultatet e botox-it janë të dukshme, mimika e fytyrës suaj nuk ndryshon në mënyrë radikale. Shprehja e fytyrës mbetet natyrale por tashmë me më pak rrudha”, – thotë ajo.
Ndër kërkesat më të mëdha nga klientët, sipas saj, janë edhe mbushësit kozmetikë kanë si bazë acidin hyaluronic, një substancë organike që lidh ujin në qeliza. Përdoren për trajtimin e rrudhave të moderuara ose të thella, gropave, rritjen e volumit të buzëve, konturimin e fytyrës. Sipas saj, efektet janë të dukshme menjëherë pas injektimit të substancës mbushëse dhe zgjasin deri një vit./MONITOR/