Mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:00, i lënduari i shpërthimit me tritol pasditen e djeshme në qytetin e Vlorës, është nisur drejt Tiranës për marrjen e ndihmës mjekësore më të specializuar.
Agron Alushaj vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i rrezikohet prerja e gjymtyrëve të poshtme, dhe ka marrë dëmtime në pjesën e fytyrës. Sa i përket ngjarjes së shënuar rreth orës 16 e 15 në hyrje të qytetit të Vlorës policia e qytetit bregdetar vijon ende hetimet.
Mësohet se janë shoqëruar në komisariat rreth 12 persona, mes tyre dhe dëshmitarë të rastit të ndodhur në ambientet e karburantit ku ndodhi ngjarja apo persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Ende nuk ka të dyshuar si autor të ngjarjes.
Burime pranë bluve konfirmojnë për Fax News se pistat kryesore të hetimit mbeten ato të konkurencës në biznesin e 48-vjeçarit Alushaj, gurore, apo edhe konflikte të hershme lidhur me aktivitetin në fushën e ndërtimit. Policia e Vlorës ka bërë sekuestrimin e pamjeve filmike në karburantin ku ndodhi ngjarja.
Ndërsa shton se lënda shperthyese e llojit tritol ka qenë me telekomandë nga distancë e afërt. Kjo bazuar në momentin që ka ndodhur shpërthimi dhe mungesa e fushëpamjes për ta kontrolluar momentin e futjes në makinë të Alushajt.
(E.K/FAXWEB.AL)