Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, dmbledhjen plenare, ku ndër të tjera pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri.
Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar. Duke qenë se një nga gjyqtarët e pezulluar ushtron edhe detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Këshilli caktoi gjyqtarin Desart Avdulaj, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate.
Këto pezullime nga puna erdhën pasi tre gjyqtarët janë nën hetim për korrupsion pasiv, pasi dyshohen se kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil.
INVESTIGIMI I BIRN:
Një treshe gjyqtarësh nga Durrësi janë nën hetim për korrupsion pasiv, pasi dyshohen se kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil.
Tre gjyqtarë të gjykatës së Apelit Durrës janë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre.
Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.
Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e një biznesmeni, pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij.
Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoi procedimin penal në adresë të gjyqtarëve, ndërsa pohoi se çështja është ende në hetim.
I kontakuar nga BIRN, biznesmeni mohoi kategorikisht se kishte udhëtuar bashkë me gjyqtarët në Itali dhe Spanjë si dhe akuzën se kishte sponsorizuar shpenzimet e tyre. Sipas tij, përkimi i datave të udhëtimit me ato të gjyqtarëve ishte krejt rastësore.
Ai shtoi se gjatë këtyre udhëtimeve nuk ka pasur kontakt me gjykatësit e çështjes.
Dokumentet hetimore të para nga BIRN tregojnë se tre gjyqtarët kanë udhëtuar në drejtim të Spanjës nga aeroporti “Nënë Tereza” më 24 tetor 2014, me linjën tranzit Alitalia dhe janë kthyer më 26 tetor 2014. Ndërsa biznesmeni ka udhëtuar drejt Spanjës një ditë më parë, më 23 tetor 2014 dhe është kthyer me të njëjtin avion me gjyqtarët më 26 tetor.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i udhëtimit në Spanjë i të dyshuarve ishte ndjekja në stadium e ndeshjes së futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës. I ashtëquajturi derbi “El Classico” u mbajt në Madrid në 25 tetor 2014 dhe u fitua me rezultatin 3:1 nga skuadra pritëse e Realit të Madridit.
Një burim i Prokurorisë i tha BIRN se ekzistojnë një seri provash hetimore që dëshmojnë udhëtimin e gjyqtarëve në shoqërinë e biznesmenit. Në funksion të këtij hetimi, Prokuroria ka dërguar letër porosi në Itali dhe Spanjë, duke mbledhur dëshmi mbi itinerarin e të dyshuarve. (J.V/Faxweb)
Discussion about this post