Detaje të reja dalin rreth vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u ekzekutua mbrëmë pranë shtëpisë së tij.
Në motorin që dyshohet se u përdor nga autori u gjet edhe një armë zjarri. Bëhet fjalë për një armë zjarri automatike të shkurtër (mp5).
Mësohet se edhe arma, ashtu sikur se edhe motori është shkrumbuar totalisht.
Sot, policia e Tiranës njoftoi se arriti të gjejë motorin që dyshohet se është përdorur nga autori i krimit.
Policia bëri me dije se motori është gjetur i djegur vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
“Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia.
Vrasja e Bujar Nasufit
Biznesmeni Bujar Nasufi u vra më 12 janar rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, nga një person që lëvizte me motor, të cilët qëlluan në drejtim të Nasufit duke e lënë të vdekur në vend.
56-vjeçari ka qenë i vetëm në makinë në momentin kur u qëllua. Autori, i cili ka ndjekur lëvizjet e Nasufit, e ka qëlluar sapo bashkëshortja e viktimës ka dalë nga makina.
Më pas, ai është larguar drejt zonës së Selitës dhe vetëm sot (13 janar) është gjetur motori i djegur, por ende asnjë gjurmë nga autori.
Sipas informacioneve se viktima ka një mobilieri së bashku me vëllain e tij, ndërsa mësohet se nuk ka asnjë precedent penal.