Një ndërprerje e papritur dhe e përgjithshme e energjisë elektrike është regjistruar sot në orën 12:35 të mëngjesit, duke prekur pothuajse të gjithë territorin e Spanjës dhe Portugalisë. Sipas raportimeve nga “El Debate”, vetëm Ishujt Kanarie kanë shpëtuar nga kolapsi, duke sugjeruar se ndërprerja ka goditur kryesisht Gadishullin Iberik.
Përveç energjisë elektrike, janë shënuar probleme serioze edhe me komunikimet telefonike, ndërkohë që burime të ndryshme flasin për një ndikim në rritje që tashmë ka përfshirë edhe pjesë të Francës jugore dhe disa rajone në Itali. Në Paris, për momentin, furnizimi me energji mbetet i qëndrueshëm.
Në Madrid, situata është përshkallëzuar me mbylljen e bizneseve në disa zona, përfshirë lagjen Salamanca, ndërsa sistemi i metrosë është ndalur tërësisht, duke detyruar autoritetet të evakuojnë pasagjerët nga vagonët. Furnizimi me ujë është gjithashtu i prekur, por spitalet kanë arritur të ruajnë funksionimin përmes turbinave me erë.
Zyrat qeveritare nuk kanë mundur të japin një shpjegim zyrtar për situatën. Presidenca e Qeverisë spanjolle ka deklaruar se për momentin mungon një arsye e qartë për ndërprerjen, ndërsa edhe operatorët bërthamorë janë të paqartë për shkaqet.
Red Eléctrica ka bërë të ditur se ka aktivizuar planet emergjente për rikthimin e furnizimit në bashkëpunim me kompanitë energjetike, duke theksuar se “të gjitha burimet po i kushtohen analizimit dhe zgjidhjes së situatës”.
Ndërkohë, kompania hekurudhore Adif ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore në vend.
Burime të afërta me hetimet kanë pohuar se nuk përjashtohet mundësia e një sulmi të koordinuar kibernetik, duke pasur parasysh përmasat dhe papriturinë e incidentit, si dhe ndikimin në sistemet e komunikimit dhe infrastrukturat kritike.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që autoritetet të japin më shumë informacion gjatë orëve në vijim.