Në ditën e ceremonisë së Pazarit të Ri të rikonstruktuar, gazetari Blendi Fevziu sjell ndër mend kohët e fëmijërisë. Sipas Fevziut, Pazari i ri ishte zemra e vërtetë e qytetit në ato kohëra. Fevziu tregon kohët kur me bashkëmoshatarët e tij, dilnin te Pazari i ri dhe hanin kumbulla të mbledhura kaush.
Fevziu shprehet se është kundër betonizimit, të ngritur mbi historinë, por shprehet i kënaqur që ende sot ai ka gjetur një pjesë të fëmijërisë së tij, atje te Pazari i Ri.
E di që qyteti ka nevojë për modernizim dhe godina impresionuese, por më duket mëkat që modernja të ngrihet mbi atë që mezi kemi trashëguar. Ky qytet ka vend për të gjithë, por padyshim nuk ka vend për ata që duan të kafshojnë edhe atë pak trashëgimi që na ka mbetur. ndaj u ndjeva mirë dje, kur rigjeta një pjesë të fëmijërisë në Pazarin e Ri. Një pjesë që mund të ishte fundosur edhe në pallatet e shëmtura prej betoni. Por që për fat shpëtoi…
SHKRIMI I PLOTË I FEVZIUT
Për fëmijët e lagjes ajo ishte zemra e vërtetë e qytetit. As Sheshi Skënderbej me policin që rrinte në mes të tij; as bulevardi madhështor dhe as Sheshi i Universitetit nuk krahasoheshin me të. Dhe besoj se kjo ishte për gjithë fëmijët e Tiranës në ato vite. Ne ndiheshim krenar që banonim pranë “Pazarit të ri”. Në ditët e javës, kur mësimi mbaronte herët dhe prindërit nuk ishin kthyer ende në shtëpi, vërtiteshim andej me gjithë klasën në rrugicat e rrëmujshme të tregut, aty ku ca dyqane të vjetër dhe tejet misteriozë me emrin e çuditshëm “Demodeja” shisnin lodra të mbetura kineze. Ishte koha kur ishim prishur me Kinën, por tufëzimi dhe shpronësimi i oborreve nuk kishte nisur ende. Tezgat ishin ende të mbushura me prodhime fshati dhe fëmijët ishin të fiksuar pas kumllave shahine, muçmollave dhe caraceve që i shisnin me kaushë të bërë vetë. Mua më pëlqente gjithnjë që pasi mbaroja kumbullat të hapja letrën e kaushit dhe të lexoja se çfarë thoshte ajo. Kaushët ishin të bërë shumica me fletë librash, disa prej tyre madje botime të hershme.
Pazari i ri ishte vendi më i zhurmshëm i qytetit. Sot besoj se ajo ishte e vetmja mushkëri ku merrte frymë inisitiva e lirë. Ajo pak inisiativë që lejohej.
Vizitat me shokët ishin të bukura, por asnjëherë të krahasueshme me ato që bëja aty me stërgjyshen. Ishte thuajse 80 vjeç në atë kohë dhe pazari tek fshatarët e Pazarit të Ri ishte padyshim rituali i saj i preferuar. Gjyshja ecte ngadalë dhe mua më dukej sikur ajo zotëronte një kod magjik për të dalluar gjërat që ajo thoshte se ishin të freskëta nga ato që i quante bajate. E kisha mësuar përmendsh frëzën e saj paragjykuese që më bënte të qeshja çdo herë që e thoshte: Katunarët janë bo batakçi, nuk janë si një herë e një kohë!
E shihja si fliste për çmimet, si i pyeste për llojin e farës dhe nga cila zonë e Tiranës vinin dhe nuk harronte kurrë të shtonte në fund: I biri i kujt je ti mor djalë?
Kjo më dukej pyetja më pa kuptim dhe më bënte të skuqesha por gjyshja nuk dorëzohej kurrë. Herë herë qëllonte që dilnin të njohur dhe ajo i dërgonte të fala babait apo gjyshit të shitësit që me gjasë as e kishte parë e as njohur kurrë, por që siç thosh ajo “njiheshin si familje”. Disa herë ai që ajo njihte mund të kishte ndërruar jetë dhe në këtë rast gjithnjë shtonte: Pastë shkuar në xhenet.
Xheneneti ishte gjëja që më impresiononte më shumë dhe gjithnjë e krahasoja me merkatën e mbuluar të fruta zarzavateve që në atë kohë më dukej si një parajsë e bukur. Me tezgat e mbushura plot dhe me frutat e perimet ngjyra ngjyra.
Një ditë edhe stërgjyshja ime iku në xhenet. Unë u rrita. Pazari u varfërua aq shumë sa në vaskat e zarzavateve kishte vetëm presh, patate e lakër ndërsa frutat shfaqeshin për pak kohë vetëm për vit të ri. Fshatarët me veshjet e tyre piktoreske i zëvendësuan shitësit e NFP – së, të gjithë të veshur njësoj dhe fare prozaikë.
Në vitet e gjimnazit ngjeshesha në dyert e mëdha të merkatës diku nga ora 5 e mëngjesit për të arritur që kur dera hapej të blinim vezë. Kishte 10 dyqane brenda dhe secili prej tyre jepte nga 10 vezë vetëm për 20 vetë. Shpesh ikja pa marrë asgjë dhe si unë edhe shumë të tjerë. Pazari nuk e kishte më lavdinë e shkuar. Ai nuk ishte më zemra e Tiranës, por një pjesë e saj. Po rrënohej si gjithë Shqipëria në fund të viteve ’80 -të.
Pas 1990 fillova të kaloja rrallë shumë rrallë aty. Rrugët ishin të pista dhe në brendësi të tij derdhej shëllira e vozave të djathit. Vetëm në sheshin Avni Rustemi, falë përpjekjes së tregtarëve ishte ngritur një merkatë frutash relativisht moderne. Gjithçka ishte kaotike, por edhe dinamike si vetë Shqipëria e tranzicionit.
Një ditë u shtyva të lexoja për të. E gjeta që në vitin 1923 në planin rregullues të Eshref Frashërit ishte përcaktuar një shesh rrethor dhe quhej Sheshi i Pashës. Më 1930 Mbreti ndërtoi aty merkatën e parë, më të gjerë dhe më me hapësirë se sa pazari i vjetër ku zakonisht rrinin zejtarët. Ndërtoi edhe godinën e parë të Mishit dhe të Peshkut. Më 1940, Italianët e mbaruan sheshin e rrumubullakët, i hoqën emrin Sheshi i Pashës dhe i vunë emrin e atij që kishte vrarë pashën, Avni Rustemit. Po aty ndërtuan edhe një merkatë zarzavatesh që u zgjerua dhe modifikua në vitin 1971 dhe mori emrin merkata e frutave dhe Perimeve. Cfarë kishte mbetur nga Zogu, italia dhe komunizmi thuajse u rrënua pas viteve ’90. Si shumë gjëra në Tiranë.
Dje, vonë, u riktheva sërish në Pazarin e Ri. Pas emisionit të mbrëmjes, thuajse në 1 pas mesnate. Punëtorët punonin ende. Shumë gjëra ishin ashtu si i mbaja mend; shumë të tjera qenë zhdukur përgjithnjë; të tjera kishin marrë formë të re. Por nuk di pse u emocionova. Nuk e di si do funksionojë ai Pazar; nuk e di sa do arrijë të jetë ai që ishte dikur dhe nëse mund ta rikthejë shkëlqimin e kohëve të arta. Por besoj se Tirana ka nevojë të rindërtojë një pjesë të historisë së saj. Dhe të ruajë atë pak që ka mbetur. E di që qyteti ka nevojë për modernizim dhe godina impresionuese, por më duket mëkat që modernja të ngrihet mbi atë që mezi kemi trashëguar. Ky qytet ka vend për të gjithë, por padyshim nuk ka vend për ata që duan të kafshojnë edhe atë pak trashëgimi që na ka mbetur. ndaj u ndjeva mirë dje, kur rigjeta një pjesë të fëmijërisë në Pazarin e Ri. Një pjesë që mund të ishte fundosur edhe në pallatet e shëmtura prej betoni. Por që për fat shpëtoi…