Blerina Ago është një prej 100 sipërmarrësve të rinj të cilët u përzgjodhën nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Fondi Gjerman Marshall duke u bërë pjesë e Young Transatlantic Innovation Leaders Initiative. Për thuajse tre javë ajo zhvilloi një sërë takimesh, por dhe trajnimesh të fokusuara kryesisht në turizmin dhe idetë inovative me impakt social. E sapo kthyer andej Ago tregon eksperiencën amerikane, risitë që mori dhe çdo të bëj konkretisht në vijim. E njohur si Blerina e Rafting ajo nuk kishte si të mos provonte dhe kanionet në Kolorado, ndër më të famshmet dhe krahasimi i tyre me kanionet e Osumit. Ajo thotë se vendit tonë i nevojitet një turizëm cilësor, ndërsa thekson se nuk ka më kohë për të humbur.
-Blerina, sapo je kthyer nga Amerika, si të duket, çfarë ndjesie ke?
Jam kthyer me shumë mall dhe ide të reja që mezi po pres t’i shoh të realizuara. Kjo eksperiencë më ndihmoi të rivlerësoj potencialin e madh që ka Shqipëria dhe mundësitë e pafundme që ne kemi përditë për të përmirësuar jetën tonë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të rinjtë si gjenerata e ndryshimeve nëpërmjet sipërmarrjes dhe ideve inovative me impakt social.
-Disa muaj më parë ti u përzgjodhe mes 100 sipërmarrësve të rinj evropianë nga Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara dhe Fondi Gjerman Marshall duke u bërë pjesë e Young Transatlantic Innovation Leaders Initiative, si aplikove?
Ndodhi shumë rastësisht. Informacionin e gjeta të publikuar në median sociale të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe sapo e lexova m’u duk programi i duhur, ardhur në kohën e duhur, i cili jo vetëm do forconte aftësitë e mia për mendimin strategjik por gjithashtu do më ndihmonte në zbatimin më të shpejtë të të gjitha iniciativave ndërmarrë në këto vite lidhur me turizmin, zhvillimin rural, edukimin dhe mirëpunësimin e të rinjve.
-E prisje të ishe një nga këta 100 të rinj?
Në fakt ishte një aplikim shumë konkurrues, i cili kishte tërhequr interesimin e mbi 650 të rinjve sipërmarrës nga e gjithë Europa që kishin një ide inovative biznesi me ndikim social në vendin e tyre. Jam krenare dhe e lumtur që përfaqësoj Shqipërinë me Albanian Adventure Resort, një projekt kaq domethënës për Ballkanin dhe i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rritjen e ekonomisë rurale, edukimin dhe angazhimin në mirëpunësim të grave dhe veçanërisht të të rinjve.
-Më shumë se tre javë në Amerikë, na trego pak për aktivitetet aty, trajnimet?
Ishte një eksperiencë fantastike. Gjatë këtyre 3 javëve unë pata mundësinë të eksploroja më shumë rreth ekosistemit të start-up-eve dhe zhvillimit të sipërmarrjes në përmirësimin e jetës së komunitetit. Gjatë javës së parë në Ëashington pata mundësinë të vizitoja Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Fondin Gjerman Marshall. U njoha me sipërmarrës nga Europa dhe Amerika duke u bërë pjesë e një rrjeti transatlantik qe forcon bashkëpunimin mbi sfidat rajonale dhe globale në frymën e Planit Marshall. Pata privilegjin të takohesha me zyrtarë amerikanë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Marrëdhëniet transatlantike Shqipëri –SHBA dhe bashkëpunimi ndërkufitar midis vendeve europiane për inovacion janë thelbësore për të ndërtuar ekosisteme sipërmarrje të nivelit botëror. Qëllimi im nëpërmjet këtij programi 1 vjeçar është mësimi i praktikave më të mira në lidhje me këtë, të ndërtoj marrëdhënie profesionale ndërkombëtarisht dhe të punoj në Shqipëri për zhvillimin e ekosistemeve lokale përmes iniciativave të shumta, duke përfshirë kontributin në hartimin e politikave në mbështetje të tyre.
Në Kolorado qëndrova në Denver dhe gjithashtu vizitova Boulder dhe Buena Vista me qëllimin për të eksploruar në terren qendra të turizmit aventurë, për të takuar operatorë ndërkombëtarë në kërkim të destinacioneve të reja për klientët e tyre dhe për të mësuar mbi një model të ri universitar i përshtatur për inovatorët, udhëheqësit dhe sipërmarrësit socialë të gjeneratës së ardhshme. Sigurisht që të gjithë morën një ftesë të hapur për të vizituar Shqipërinë në çdo kohë!
-Çfarë mësove nga Amerika?
Me impresionoi sesi mbrohej guximi i gjeneratës së ardhshme, në mënyrë që arsimimi dhe edukimi i tyre të ndiqte jetën inovatore dhe të kontribuonte në zgjidhjen e sfidave më të vështira me të cilat ballafaqohet bota sot.
Është interesante se Kolorado ka një ekosistem të ri startup-i dhe tani po diversifikon ekonominë e saj nga Nafta dhe Gazi për t’u fokusuar më shumë në segmente të tjera relevante përmes promovimit të sipërmarrjes. Bujqësia, prodhimi, minierat dhe turizmi janë sektorët më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik atje. Denver mikpriti 31.5 milionë vizitorë në 2016, ku 17.3 shpenzuan të paktën një natë atje, duke vendosur edhe një rekord të ri turistik, sipas një studimi nga Longëoods International, një firmë kërkimore turistike. Që kur votuesit e Denverit miratuan një rritje të taksave në vitin 2005 për të financuar rritjen e marketingut të turizmit, turizmi është trefishuar krahasuar me ritmin e mesatares kombëtare, me një rritje prej 62 për qind, krahasuar me 22 për qind në nivel kombëtar. Totali i shpenzimeve sipas sektorit për 2016 është për akomodimin $ 1.57 milion; për transportin $ 1.05 milion; për ushqimi dhe pije $ 1.52 milion dollarë; shitja me pakicë e të mirave $ 660; argëtimi dhe aktivitetet e rekreacionit $ 476 milionë dollarë.
Ekziston një potencial i madh për shkëmbimin transatlantik midis Shqipërisë dhe Kolorados në këtë drejtim. Duke ecur përpara, do të punojmë në lehtësimin e platformave për të ftuar sipërmarrës, investitorë dhe njerëz të tjerë ndërkombëtarë në ekosistemet start-up për të krijuar vetëdije rreth Shqipërisë. Jam shumë e entuziazmuar për hapat e ardhshëm!
Faleminderit Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Fondit Gjerman Marshall dhe gjithë personave që më pritën, pasi e bënë qëndrimin tim absolutisht të mahnitshëm!
-Besoj që ke bërë edhe rafting në Kolorado, si ishte si eksperiencë?
Sigurisht që s’mund të largohesha nga Kolorado pa provuar rafting. Zgjodha të lundroja në Broëns Canyon në Buena Vista, Monument Kombëtar i Kolorados. Lumi i Arkansasit konsiderohet gjerësisht si destinacioni më popullor në SHBA, dhe mënyra më e mirë për të përjetuar madhështinë e kanionit është rafting. Karvani i gomoneve në lumë prej më shumë se 110.000 në vit dhe peshkatarët që shkojnë aty e kualifikojnë si një nga destinacionet më popullore në Amerikë për sportet ujore. Broëns Canyon ofron mundësi të shumta rekreative gjatë gjithë vitit edhe për sportistët e kalërimit, alpinizmit, çiklizmit dhe entuziastët e natyrës Monumenti gjithashtu ka një habitat të rëndësishëm për delet “bighorn”, drerët, mushkat dhe shumë lloje të tjera të kafshë të egra. Rafting ishte një eksperiencë për t’u përjetuar.
-Si një person që tashmë prej 15 vitesh merresh me këtë sport në Shqipëri, besoj e ke parë edhe më syrin kritik, qoftë për mirë apo edhe për keq, na trego disa detaje nga kjo eksperiencë?
Nuk kisha si t’i shpëtoja kësaj. Me vinte natyrshëm po aq sa rrëmimi në kanion. Madje guida aty më tha që të qëndroja të punoja me ta pasi kisha aftësi të habitshme të njohjes së lumit. Ai ende nuk e dinte së kam 15 vjet qe shpenzoj kohën time më cilësore në lumë (qesh). Mendoj se sfida e tyre më e madhe, duke u nisur nga fakti qe në sezonin pranverë-verë zbresin rreth 400 gomone në ditë në lumë është rreziku i komerçializimit të tepërt. Këtë gjë e kam diskutuar dhe me Zamon dhe skuadrën time. Pika jonë e fortë, përveçse bekimit nga natyra me një kanion shumë unik si Osumi dhe lumë të egër si Vjosa, është shpirti i skuadrës. Ne përpiqemi t’i japim turistëve gjithë dedikimin e mundshëm për t’ia bërë udhëtimin e tyre të paharruar duke përcjellë me gëzim vlerat e shpirtit shqiptar. Nuk duhet ta humbasim këtë gjë, pasi nuk gjendet shpesh në kompanitë e tjera. Turizmi nuk është vetëm tregti. Ai është pasion dhe përkujdesje për të ndarë me vizitorin kohën e tij më cilësore dhe të gëzuar, pushimet. Ne jemi shumë më të vëmendshëm ndaj miqve të rafting dhe mendoj se eksperiencat tona janë më të personalizuara duke i përjetimet e turistëve më të forta.
-A i prezantove kanionet e Osumit atje?
Unë pata privilegjin me ndihmën e Adventure Travel Trade Association të takoja presidentin e njërës prej kompanive pioniere të rafting aty, që operonte prej 1983, Chuck Cichoëitz. Patëm një bisedë të thelluar në lidhje me standardet më të mira për t’u zbatuar dhe modelet e suksesshme për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Një pjesë të madhe të kohës e zuri dhe biseda mbi Albanian Advenure Resort dhe prezantimi i potencialeve turistike shqiptare.
-Cila ishte përshtypja e tij?
Pasi u njoh me produktin e rafting në Shqipëri dhe me projektin e Albanian Adventure Resort ai tha: “Jam shumë i emocionuar në përshtypjen time të parë. Projekti është shumë progresiv dhe e vlerësoj si një oportunitet të rëndësishëm nga perspektiva e një personi të huaj. Unë kam udhëtuar shumë në SHBA dhe në Botë. E pash këtë projekt dhe mendova që ka një potencial të llahtarshëm për të qenë një destinacion i nivelit botëror. Ju inkurajoj t’ia njihni vlerën dhe pasurinë dhe ta mbroni atë si dhe të mbroni mundësinë që kompanitë dhe organizatat operative në mënyrë që pas 20 viteve gjithçka të jetë e qëndrueshme dhe reputacioni i aktiviteteve rekreacionale në natyrë dhe rafting dhe Shqipëria të jetë një nga vendet ku njerëzit duan të shkojnë. Çfarë eksperience e jashtëzakonshme, shumë profesionale, shumë njerëz miqësor si kjo vajzë e re, ju jeni njerëz të mrekullueshëm në Shqipëri dhe bukuri të pabesueshme të pashfrytëzuara. Kur pash fotot e ujëvarave të njerëzve pranë lumit të cilët po argëtoheshin mendova, oh Zot, kjo është e pabesueshme! Prandaj ju inkurajoj të mendoni thellë rreth resurseve tuaja dhe si doni të jeni pas 15-20 vitesh sepse ai vend do te vazhdojë t’ju sjellë njerëz nga e gjithë Europa dhe SHBA sa do thonë ky është një nga vendet që duam të shkojmë dhe ta përjetojmë. Pra mendimi im është që ka një potencial të pabesueshëm. Mendohuni mirë dhe jini proaktivë për të dhe mendoj se për 10-15 vite do ndjeni kënaqësinë e pabesueshme të kësaj që keni.”
-Ju thoni që kanionet tona janë më të bukura, por si arrinin ata që të thithnin aq shumë turistë?
Besoj se janë 3 faktorë kyç të cilët e kthejnë një vend në destinacion botëror turistik:
- Mundësitë e bollshme të rekreacionit/aktiviteteve argëtuese. Shqipëria është kaq e bekuar, me një kulturë të lashtë, natyrë të paprekur dhe trashëgimi autentike. Ne kemi shumë punë për të bërë për të zhvilluar produktet turistike duke i bërë këto vende lehtësisht të arritshme për turistët dhe plot aktivitete për t’u argëtuar, por duke patur një impakt sa më të ulët në mjedis.
- Aftësia për të rekrutuar dhe mbajtur një fuqi punëtore të shëndetshme, të aftë dhe produktive. Me dhimbje jam dëshmitarë e emigrimit të të rinjve çdo ditë nga vendlindja dhe kjo gjë e kërcënon seriozisht trashëgiminë dhe ekonominë lokale. Duhet të tërheqim praktikat më të mira për formimin profesional të të rinjve dhe orientimin e tyre dhe të komunitetit drejt një turizmi të qëndrueshëm. Edukimi në turizëm duhet të jetë ftues për të gjithë të rinjtë që duan te bëjnë një ndryshim pozitiv për Shqipërinë.
- Një mjedis pro-biznesi dhe paketë konkurruese e taksave. Kostoja e të ofruarit turizëm në Shqipëri duhet të jetë sa më e ulët, në mënyrë që tërhiqen investitorë dhe qeveria duhet të ofrojë incentiva dhe subvencione për startup-et dhe gjithë personat që kanë marrë guximin të investojnë në një industri të brishtë si turizmi, duke krijuar një ekosistem funksional zhvillimi dhe rritje në këtë drejtim.
-Ju punuat në një kompani atje, si funksiononte puna?
Unë pata kënaqësinë të punoja në praktikë pranë kompaninë Galvanize, në Denver e cila nxiste krijimin e startup-eve të reja, mbështeste suksesin e tyre nëpërmjet investimit në infrastrukturë e dije mbi zhvillimet e fundit të teknologjisë dhe inovacionit. Kam patur mundësinë te takoj mentorë dhe profesionistë të shkëlqyer më të cilët u angazhova në çështje si mbledhja e fondeve, menaxhimi financiar e deri te strategjitë e markës dhe promovimit.
-Me aq sa patë në SHBA, besoj ke arritur në disa konkluzione për zhvillimin e turizmit në Shqipëri?
Volum i ulët dhe me vlerë të lartë. Kështu duhet të jetë turizmi në Shqipëri. Pas zgjimit të kuriozitetit të gjithë botës për Shqipërinë, na takon tani të tërheqim “turistët me vlerë të lartë” – vizitorët që do të qëndrojnë më gjatë dhe do të shpenzojnë më shumë se mesatarja e turistëve dhe për faktin që ata vijnë gjatë periudhave të sezonit të ulët të fluksit të turistëve dhe janë të pritur të eksplorojnë destinacione më pak të populluara.
-Pse thoni që duhet t’i mëshojmë turizmit të luksit, nuk mendon se të huajt vijnë tek ne vetëm sepse jemi një vend i lirë?
Tërheqjet kryesore turistike të Shqipërisë janë kultura dhe mënyra e jetës së saj tradicionale, monumentet kulturore dhe natyra e pacenuar. Ne i kemi të gjitha. Nuk ka nevojë të jemi modest në këtë pikë. Kemi mundësinë e artë të ofrojmë një produkt të diversifikuar. Turistët na pëlqejnë dhe vlerësojnë sepse jemi ndryshe nga pjesa tjetër e Botës dhe kemi zakone dhe trashëgimi njerëzore të pasur. Mbrojtja e natyrës dhe kulturës duhet të jetë pjesë e sistemit të vlerave shqiptare si një aspekt i rëndësishëm i ruajtjes së mënyrës tradicionale të jetës në Shqipëri.
Në këtë sezon turistik, jemi të vetëdijshëm se një rrjedhë e pakufizuar e turistëve pengon mbajtjen pastër të mjedisit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Strategjia afatgjatë e Shqipërisë duhet të jetë një turizëm i kontrolluar me fokus në qëndrueshmërinë dhe cilësinë duke siguruar reputacionin e vendit si një destinacion ekskluziv dhe i veçantë, me një kontribut të rëndësishëm në ekonominë lokale. Qëllimi i qeverisë duhet të jetë maksimizimi i të ardhurave në valutë të huaj duke minimizuar ndikimet e mundshme negative kulturore dhe mjedisore të turizmit dhe duke siguruar shpërndarjen e të ardhurave në komunitet.
-Çfarë do të “vjedhësh” nga Amerika për ta zbatuar në Shqipëri?
Shembulli e suksesit në zhvillimin e sipërmarrjeve të reja. Është biznesi ai që zhvillon ekonominë dhe përmirëson shoqërinë. Sipërmarrësi ngre biznese që hapin vende të reja pune. Janë ata që paguajnë taksat. Një sipërmarrje e re ka nevojë për burime që të krijohet dhe kështu aktivizon dhe bizneset e tjera gjatë procesit. Janë sipërmarrësit e rinj ata që sjellin teknologji të reja dhe zgjidhje inovative në treg. Sipërmarrësit stimulojnë ekonominë duke rritur besim tek njerëzit. Shëndeti ekonomik i një kombi në përgjithësi varet nga performanca e PBB-së së saj (Produkti i Brendshëm Bruto). Duke pasur një ekonomi të shëndetshme i bën njerëzit të sigurt për të investuar, jetuar dhe punuar vend edhe në kohët e recesionit.
-Shumë shqiptarë zgjedhin që të largohen nga vendi i tyre. Ti ishe atje, do e ndërroj Shqipërinë me Amerikën?
Besoj se Amerika është shembulli në Botë ku demokracia dhe shteti i së drejtës funksionojnë më së miri. Ekonomia aty është e shëndetshme dhe niveli i jetesës cilësor. Këto dhe shumë arsye të tjera i detyrojnë shumë shqiptarë të emigrojnë. Kurse unë mendoj së vendi im është Shqipëria për faktin se këtu është vendlindja ime, Toka ime, familja ime. Është e paparashikueshme por plot sfida. Këtu kam fatin e madh të punoj dhe të bëhem pjesë e një ndryshimi. Të shoh zona të harruara që rilindin, të punoj me të rinj duke ngjallur shpresat dhe entuziazmin për një të ardhme më të mirë, të takoj njerëz të jashtëzakonshëm në zona të thella dhe të varfëria, por me një zemër të madhe. Nuk është e lehtë sigurisht por kudo ka sfida. Shqipëria më motivon, më plotëson shpirtërisht, më jep mundësinë të ndihem e dobishme. Besoj është detyra e çdo njeriu të kontribuojë për vendlindjen. Kjo është mënyra ime.
-Mendon se e ardhmja e Shqipërisë duhet të mbështet edhe në turizëm?
Për një vend të vogël me dalje në breg, male të thepisura, burime ujore të brendshme të panumërta si Shqipëria, turizmi duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e mundësive dhe të ardhurave për punësim dhe paralelisht të garantojë ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, njerëzore dhe natyrore. Dhe që të arrihet kjo kemi nevojë për turistë cilësorë, të cilët janë të gatshëm për të paguar për eksperienca unike dhe për impaktin sado të vogël që lënë në mjedis.
-Nuk je lodhur ndonjëherë nga kjo punë?
E dua këtë që bëj dhe pasioni e entuziazmin nuk më lënë asnjëherë të lodhem. Dua t’i them të gjithëve që kanë një ëndërr ta ndjekin atë. Puna do i nxjerrë gjithmonë në sipërfaqe. Mos i lejoni askujt t’ju tregojë se nuk jeni mjaft të mirë apo së ideja juaj nuk vlen. Qëndroni të vërtetë dhe mos u lodhni së përmirësuar veten tuaj. Jeta është një udhëtim me ulje dhe ngritje, përqafoni më të mirën rreth jush, mësoni nga gabimet tuaja dhe bëhuni pjesë e ndryshimeve pozitive për veten, familjen dhe vendin tuaj. Kjo ka rëndësi. Faleminderit atyre që më kanë frymëzuar që të kem guxim të arrij deri këtu. Të gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe ndihmuar i premtoj se s’kam për të reshtur asnjëherë së ndjekuri ëndrrat e mia dhe nuk do dorëzohem derisa t’i shoh ato realitet.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2862″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]