Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve. Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë njofton se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për 2016, më shumë se 142 mijë nuk e kanë kaluar dimrin. Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, ndërthur shumë faktorë që kanë çuar në këtë humbje. Dimri i acartë, mungesa e standardeve në mjekim dhe përhapja masive e rriqrës kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuar në humbje. Ajo nuk e përjashton faktin se kultivimi i drogës ka ndikuar negativisht, por shpjegon se nuk ka fakte shkencore ose të dhëna laboratorike për këtë fakt. Por Shehu thotë se era e bimës mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.
Humbjet për bletarët, marramendëse, arrijnë 60 milionë euro
Biznesi i bletarisë ka marrë hov vitet e fundit, pasi numri i koshereve është trefishuar gjatë dekadës. Mirëpo ky biznes është zhvilluar tërësisht spontanisht, pasi mungojnë politikat për zhvillimin e standardizuar të tij, mbështetja financiare dhe për më tepër specialistët. Sot, Ministria e Bujqësisë nuk ka një specialist që të njohë sektorin e bletarisë dhe të kujdeset për politikat e sektorit. Prandaj humbjet e fermerëve, jo vetëm që kanë ngelur jashtë vëmendjes të institucioneve, por në fakt i kanë krijuar një humbje kolosale ekonomisë së vendit.
Sipas përllogaritjeve, humbjet nga bletët e vdekura në rang kombëtar arrijnë në rreth 60 milionë euro. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bletarisë, një koshere kushton rreth 20 mijë lekë. Ndërsa rendimenti i vjetor i një blete nga sasia e mjaltit që prodhon mesatarisht (12-20 kilogramë) llogaritet 36 mijë lekë në vit. Për rrjedhojë, vlera e kosheres së bashku me vlerën e munguar e fitimit vjetor nga mjalti për 144 mijë koshere llogaritet mbi 8 miliardë lekë ose 58 milionë euro.
Hashashi si shkaktar
Për disa zona, humbja e bletëve këtë vit ka qenë atipike. Banorët janë të tronditur pasi bleta ka ikur në kullotë dhe nuk është kthyer më. Por edhe mbi këtë fenomen, bletarët kanë pikëpamje të ndryshme. Në kohën kur hashashi mbillej në Lazarat, në të njëjtën kohë lazaratasit kishin edhe bletë. Madje mjalti i Lazaratit nisi të marketohej si mjaltë hashashi dhe shitej shumë shtrenjtë në treg, për shkak të efekteve që karakterizojnë bimën. Por disa bletarë të tjerë mendojnë se është pikërisht hashashi që po i vret bletët. Në Lazarat kjo nuk ka ndodhur pasi bima ka qenë relativisht e shkurtër dhe jo e dëmshme.
Por Kutrelli nga Orenja e Librazhdit thotë se bletët ishin të shëndetshme, por kanë lënë zgjojet plot me mjaltë dhe nuk janë kthyer nga kullota. Kemi dyshime për hashashin, por nuk kemi kryer analiza shprehet ai.
Bletarët pohojnë se një fermer nga Tirana, i cili humbi të 171 kosheret e tij ka bërë analiza laboratorike në Turqi dhe ka gjetur se bletët kanë vdekur pikërisht nga kullota në bimët e hashashit. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, sidomos në pyje dhe zonat rreth tyre u mboll hashash. Vendet ku u mboll droga ishin më së shumti kullota të bletëve. Bletarët nga zona e Përmetit në fshatin Frashër kanë shprehur shqetësime më herët se bletët kishin braktisur kosheret në kohën e lulëzimit të hashashit. Në këtë rreth, mbjellja e drogës ka qenë më masive, fakt ky i konfirmuar edhe nga të dhënat policore mbi sasitë e kapura.
Shkaqet e tjera
Si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri ka shumë shkaqe që e dëmtojnë jetesën normale të bletës. Por në vendin tonë këto janë më të mprehta. Shkatërrimi i pyjeve dhe bimësisë e ka bërë bletën më pak produktive dhe me shumë kosto për ta mbarështuar. Pylli është furnitori më i madh i bletës, por dëmtimi masiv i tij vitet e fundit ka prishur ekuilibrin e furnizimit me ushqim të insektit. Një faktor tjetër, sipas Shehut, që po ndikon negativisht në mbarështimin e tyre, janë pesticidet që po përdoren ndaj frutikulturës.
Fermerët shqiptarë i spërkatin pemët deri në 15 herë, që nga lulja deri në vjelje, tha Shehu. Bletët që kullosin në këto pemë helmohen dhe vdesin.
Gjithashtu mosrespektimi i protokollit të mjekimit të bletës nga të gjithë bletarët njësoj është një shkak tjetër që e bën Shqipërinë të ketë humbje të bletëve më shumë se mesatarja rajonale apo europiane. Rriqra (ose morri i bletës) është një insekt tjetër që dëmton masivisht bletën. Në vite të veçanta, ai gjen përhapje të madhe. Nga ana tjetër, bletërritësit nuk e bëjnë mjekimin e në të njëjtën kohë dhe në këtë mënyrë, morri nuk zhduket dhe krijon humbje të bletës.
Mungesa e profesionalizimit dhe stafeve që njohin sektorin është një tjetër problematikë në sektor. Bletërritësit ndahen në tri kategori, amatorë, hobistë dhe profesionistë. Dy kategoritë e para nuk është se kanë njohuri të thelluar për mbarështimin e bletës e për pasojë kanë humbje të mëdha. Ndërsa profesionistët, edhe pse kanë njohuritë janë nën presionin e një tregu që ofron medikamente jocilësore, që nuk kryejnë funksionet e duhura te bleta.
Një faktor tjetër që supozohet që e ka dëmtuar bletën këtë vit është ishte edhe dimri i acartë. Lejla Shehu, nga Shoqata e Bletarëve, shprehet se, për vite me radhë, dimri në vendin tonë ka qenë i ngrohtë. Shumë bletarë kanë neglizhuar masat mbrojtëse për izolimin e bletëve ndaj dimrit të fortë dhe temperaturat minus kanë dëmtuar shumë koshere./Revista Monitor