Një aksion i madh po zhvillohet prej orëve të para të mengjesit të sotëm në Shkodër, ku mësohet se Policia e Shtetit dhe Renea kanë mësyrë në Dobraç.
Mësohet se aksioni ka nisur rreth orës 5 të mëngjesit ku janë bërë kontrolle në shumë banesa. Akoma nuk dihet nëse ka të arrestuar, lidhur me ngjarjet e rënda që kanë goditur Shkodrën ditët e fundit.
Kontrollet po zhvillohen nga Renea, ndërsa ka blinda dhe snajpera kudo. Po ashtu kontrolle janë duke u zhvilluar dhe në lagjen Kiras.
Vetëm në tre muajt e fundit në qytet kanë ndodhur gjashtë vrasje dhe dy persona rezultojnë të zhdukur. Shumica e ngjarjeve janë ende pa autorë dhe presioni i opozitës në drejtim të ministrisë së brendshme ka qenë shumë i madh.
Dy ditë më parë deputetët e PD-së dhe të LSI-së u zhvendosën në Shkodër për të bërë Kuvendin e tyre, pasi sipas krerëve opozitarë qytetarët e Shkodrës gjenden nën terror për shkak të ngjarjeve të fundit.
Vrasja më e fundit është ajo e të riut Arjan Ferracaku teksa ishte duke kalëruar me disa miq të tij në Livadhe. Ngjarja mbetet ende pa autorë dhe pse janë shoqëruar në polici më shumë se 15 persona.
Në Shkodër kreu i PD-së Lulzim Basha tha se në Dobraç fshihen një pjesë e mirë e kriminelëve që kanë tronditur Shkodrën , dhe fill pas deklaratës së tij në mbrëmjen e së hënës nisën kontrollet në disa lagje të qytetit, po ende pa asnjë person të arrestuar. Në ultimatum gjenden dhe drejtuesit lokalë të policisë, të cilët do të duhet që të shpëtojnë ‘’kokën” e ministrit të tyre, me finalizimin e suksesshëm të aksionit.
(E.K/FAXWEB.AL)