Ambjentet para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shteit janë blinduar nga forca të shumta police të cilët janë në pritje të protestuesve.
Në pamje direkt nga Fax News oborri i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është i mbushur me forca të shumta të policisë të cilët, në pritje të protestuesve janë aty për të shmangur kështu ndonjë konflikt ose konfrontim të mundshëm.
Protesta e sotshme e opozitës e madhe është e pesta e thirrur nga krerët e PD-së dhe LSI-së për shkak të precipitimit të dhunës të protestës së 11 majit, ku u hodhën shishe me benzinë, shashka dyshohet dhe bomba molotov. Protestuesit i vunë flakën derës kryesore të Kryeministrisë, ndërsa hodhën dhe shishe me bojë drejt godinës. Dhuna precipitoi dhe pas zhvendosjes së protestuesve të Parlamenti ku u hodhën mjete piroteknike drejt forcave të policisë, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me gaz lotsjellës.
Sipas raportimeve zyrtare mbetën të plagosur 13 policë dhe 4 protestues.
Protesta kulmoi me dhunën e policisë dhe arrestimin e sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi çka çoi në irritimin e turmës e cila më pas e zhvendosi përplasjen tek Drejtoria e Policisë Tiranë.
Dollapi u shoqërua në Spitalin e Traumës pak orë pas ndalimit të tij për shkak të plagëve që mori, ndërsa u lirua nga arresti në orët e paradites së djeshme. Ai vijon të qëndrojë i shtruar në këtë spital.
Ndërkohë drejtuesit e forumeve të larta të PD-së dhe LSI-së pak pas mesnate, teksa gdhinte e diela vendosën mbajtjen e një proteste tjetër të madhe ditën e hënë, më 13 maj për shkak të dhunës policore të paprecedent.