I pyetur nga gazetarët nëse është i gatshëm të tërheqë kandidatin e tij për Kavajën për shkak të paralajmërimeve të Partisë Demokratike, kryeministri ka deklaruar se nuk mendon për Kavajën dhe nuk e trembin kërcënimet e opozitës.
Duke i cilësuar si një “bllof spektakolar” veprimet dhe deklaratat e deritanishme të Partisë Demokratike, ai i sugjeroi PD-së që të heqë dorë nga vetëvrasja e saj, që në mënyrë të pavetëdijshme ka organizuar.
“Kavaja për ne nuk është sfidë. Sic e dini nënkryetari garon me një tjetër përfaqësues të pavarur. Nëse Partia Demokratike mendon se 7 maji mund të ketë okazionin e jetës për të treguar se sa është në gjendje të bëjë rrëmujë, kjo është një tjetër krizë mendore e PD-së.
Unë nuk mendoj për 7 majin si datë për të bërë në Kavajë një ballafaqim fizik. Unë mendoj 7 majin si afatin e tejfundit për PD për tu regjistruar në zgjedhje. Me qëllim që të mos e kompletojë me duart e veta vetëvrasjen që faktikisht në mënyrë të pavetëdijshme ka organizuar. Duke bërë një bllof spektakolar. Nuk më shqetëson Kavaja, por për t’i garantuar PD-së një monitorim të brendshëm. Nëse do vërtet të garantojë zgjedhjet, ta marrë këtë ofertë në konsideratë.”, tha Rama.
(XH.A/SHUPLAKA)