Gjatë ditës së sotme policia njoftoi për një aksion në zonën e Shijakut, ku kishte zbuluar një laborator për prodhimin e kriptomonedhave, dhe thuhej se ishte arrestuar një person.
Por duket se aksioni i policisë është në kushtet e paligjshmërisë sa kohë që biznesi në fjalë është i regjistruar në QKB, dhe ka kontratë të rregullt me OSHEE-në.
Po ashtu paisjet që janë gjetur për prodhimin e kriptomonedhave janë futur ligjërisht në vendin tonë. Në një reagim për Faxweb.al, administratori i kompanisë ‘crypto world 2’, shprehet se biznesi i tij është tërësisht i ligjshëm, dhe se në kodin penal të RSH nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të ndalojë prodhimin e kriptomonedhave.
“Shoqëria tregtare mund të ushtrojë çdo veprimtari, e cila nuk ndalohet me ligj”, thuhet qartë në ligjin për shoqëritë tregtare në vendin tonë.
Administratori i kompanisë thotë se pavarësisht aksionit dhe një personi të shoqëruar, policia nuk ka ndërhyrë te makineritë, pasi ato janë në punë, sa kohë që biznesi është i ligjshëm.
“Ky rast është komplet bllof pasi nuk ka asnjë bazë ligjore. Deri tani të gjitha rastet që janë zbuluar dhe ndjekur penalisht në vetvete kanë pasur lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, fshehjen e të ardhurave, evazion fiskal, ose futjen kontrabande të paisjeve kompjuterike.
Nuk ka asnjë dispozite në kodin penal ku parashikon ndalimin e prodhimit të bitcoin apo kriptomonedhave të tjera. Tek ne të paktën nuk është e jashteligjshme.
Biznesi është i deklaruar edhe ne QKB, ka kontrate te rregullt me OSHEE, deklarohen te ardhurat dhe te gjitha paisjet jane importuar dhe zhdoganuar sipas dispozitave ligjore. Perpara se te fillonte si aktivitet i eshte derguar shkrese edhe Drejtorisë së Policisë, dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare”, thotë në reagimin e tij administratori i kompanisë.
Pranë biznesit janë vendosur disa shirita, ndërkohë që për momentin aktiviteti i makinerive është duke vijuar.
Nuk është hera e parë që policia ndërmerr aksione kundër prodhimit të kriptomonedhave, edhe pse në ligjin shqiptar nuk ka asnjë nen apo dispozitë që e ndalon këtë aktivitet.
Madje janë disa biznese që janë të regjistruara në QKB, e madje janë në dijeni edhe institucione të tilla si AMF./Faxweb.al