Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të dielën se Izraeli nuk do të lejojë askënd të thyejë bllokadën detare të territorit palestinez, e cila, sipas tij, synon të parandalojë Hamasin nga importimi i armëve.
Në një postim në X, Katz njoftoi se i ka udhëzuar Forcat Mbrojtëse Izraelite “të veprojnë për të parandaluar varkën e urrejtjes Madleen” që të arrijë në brigjet e Rripit të Gazës: “Duhet të ktheheni prapa – sepse nuk do të arrini në Gaza”.
Thunberg është midis 12 aktivistëve në bordin e Madleen, e cila operohet nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë. Anija u nis nga Siçilia të dielën e kaluar në një mision që synon të thyejë bllokadën detare të Gazës dhe të ofrojë ndihmë humanitare, duke rritur ndërgjegjësimin mbi krizën humanitare në rritje në enklavën palestineze.
Aktivistët kishin thënë se planifikonin të arrinin në ujërat territoriale të Gazës që të dielën.
Rima Hassan , një anëtare franceze e Parlamentit Evropian me prejardhje palestineze, është ndër të tjera në bord. Gjithashtu në bord është edhe aktori i “Game of Thrones”, Liam Cunningham.
Pas një bllokade totale tremujore që synonte presionin ndaj Hamasit, Izraeli filloi të lejonte disa ndihma bazike në Gaza muajin e kaluar, por punonjësit humanitarë kanë paralajmëruar për uri nëse bllokada dhe lufta nuk do të mbarojnë.