9 marinarë të huaj qëndrojnë të bllokuar prej muajsh në portin e Durrësit, pa mundur të marrin mbrapsht pasaportat e tyre, ndërkohë që situata për mbijetesën e tyre bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, apeloi për ndërhyrjen e autoriteteve për të liruar marinarët, të cilët sipas tij janë liruar nga akuzat për kontrabandë nafte.
“Këtu ka disa anije që janë ndaluar dhe prej disa muajsh nuk marrin as paga dhe janë në vështirësi të ndryshme. E kemi ngritur problemin deri në ministri dhe kemi kryer takime me marinarët të cilët na thonë se janë pa ujë, pa ushqim dhe ndodhen në kushte të vështira jetike. I bëjmë thirrje organeve kompetente të hedhin syte nga marinarët përpara se të ikin dhe shijojnë rrezet e diellit.
Sot jam këtu të ndjek situatën. Ka një sindikatë të portit, e cila as don t’ia dijë për punonjësit. Apelojmë për stafin të cilët nuk janë pjesë e kontrabandës, aty ka kuzhinier të cilët vetëm kanë gatuar dhe mbahen aty.
Inspektoriati shteteror i punes nuk ka shkuar kurre tek këta marinarë. Drejtësia ka arritur deri në pikën që ka marrë pasaportat dhe u ka lënë masën detyrim paraqitje. 9 persona të cilët kanë pasur dhe probleme shëndetesore, ndodhen prej disa muajsh në anije pa rroga, pasi nuk mund të hapin llogari bankare në kushtet ku ndodhen. Prokuroria ka perfunduar hetimet dhe policia nuk kthen pasaportat stafit, pasi ka ngërçe midis hallkave”, është shprehur Tonin Gjinaj.
Anija “Ayala Zanubia” u ndalua para 9 muajsh nga organet ligjzbatuese shqiptare, pasi u konstatua se kishte 850 mijë litra karburant që dyshohej se do të hidhej në tregun vendas. Operacioni policor çoi në bllokimin e anijes në radë, ndërkohë që 9 pjesëtarë të ekuipazhit, një shtetas egjiptian dhe 8 sirianë, mbetën të bllokuar. Koha e gjatë e qëndrimit në port ka bërë që ata të mbeten pa furnizim me ujë dhe ushqime, ndërsa në vështirësi të mëdha ekonomike janë edhe familjet e tyre në Siri dhe Egjipt.