Me protestën e 11 majit që po afron, opozita ashtu sikurse kishte paralajmëruar vijon aksionin e saj të bllokimit të rrugëve çdo të enjte.
Të ftuar në studion e “Opinion”, me Blendi Fevziun analistët kanë diskutuar në lidhje me aksionet opozitare, duke u ndarë në qëndrimet e tyre.
Preç Zogaj është shprehur se bllokimi është një formë e njohur e protestës e aplikuar edhe nga kjo qeveri kur ishte në opozitë, mirëpo ai nuk justifikon këto lloj protestash duke u shprehur se në botë ato organizohen nga ato parti të cilat nuk duan të vijnë në pushtet. Sipas Zogaj, opozita duhet të vërë në “kandar”, sikurse është shprehur ai, reagimin e njerëzve, dhe po ashtu të marrë parasysh kundërveprimin për këto protesta të pa njoftuara.
Ndërkohë analisti Fitim Zekthi paralajmëron se situata politike do shkojë drejtë radikalizimit. Zekthi nuk nguron të shprehet se opozita me veprimet e saj është duke i bërë thirrje qeverisë që të hap rrugë ose do ta “godasi”. Sipas Zekthit ajo çka mund të presim mes palëve është një acarim i mundshëm i situatës, pa të cilin nuk do të ketë një zgjidhje.
“Kjo do shkojë duke u radikalizuar në vazhdim. I ka hipur makinës së opozitës, i thotë qeverisë unë do të bie drejt ose hap rrugë. Janë hapa normale që bëhen dhe në botë. Gjendja politike nuk mund të ketë zgjidhje tjetër. Mund të ketë grevë urie, mund të ketë molotov. Format mund të jenë nga më të ndryshmet. Kjo krizë nuk zgjidhet pa u acaruar. Duke ardhur duke u thelluar do vijë më pas një zgjidhje”- ka deklaruar Fitim Zekthi.
“Janë dy lloj, një bllokim i lajmëruar, që është formë e njohur, i ka aplikuar dhe kjo qeveri që është sot kur ishte në opozitë. Duhet llogaritur dhe si është reagimi i njerëzve, këtë duhet ta vërë në kandar opozita. Këto janë protesta të njoftuara. Bllokimi i rrugëve në botë nuk bëhet nga parti që duan të vijnë në pushtet. Këto protesta të pa njoftuara duhet të marrin parasysh dhe kundër veprimin.”- shprehet Preç Zogaj.