Një konteiner me mallra të falsifikuar është bllokuar sot në Doganën e Durrësit.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se malli vinte nga Kina dhe se bëhet fjalë për syze të markave të ndryshme, çanta, portofolë, të gjitha sipas burimeve, false.
Subjekti përfaqësuar nga personi fizik E.M, ka kërkuar që të kryejë zhdoganimin në Doganën e Tiranës, pra të kalonte tranzit nga pika doganore Durrës.
Burime nga Porti i Durrësit bëjnë me dije se këto mallra ishin të kopje të falsifikuara të firmave të mëdha botërore dhe do të hynin në tregun tonë si origjinale, ndërsa në deklarime janë emërtuar si mallra të thjeshtë, pa marka.
Por, kanë qenë agjentët doganorë të cilët nga kontrollet e bëra duke i ballafaquar me deklarimet, kanë konstatuar në kohë se produktet janë të falsifikuara. Ndërkohë bëhet me dije se vijon kontrolli i të gjithë konteinerit.