Rruga kombëtare Tamarë-Vermosh është bllokuar pjesërisht në zonën e quajtur Gropat e Selcës, duke lejuar kalimin vetëm në një korsi për veturat e vogla. Shkak për këtë situatë është mungesa e mirëmbajtjes, pasi kontraktuesit i ka përfunduar kontrata dhe nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e rrugës.
Pavarësisht kontakteve me përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, nuk është dhënë asnjë përgjigje apo zgjidhje për situatën. Me afrimin e natës, rreziku për udhëtarët shtohet për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe prezencës së inerteve në rrugë, duke e bërë kalimin veçanërisht të rrezikshëm.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndërhyrje urgjente për të shmangur ndonjë aksident apo bllokim të mëtejshëm të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.