Kreu i Libra Ben Blushi i cili sot ishte në qytetin e Korçës, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend, mbi të gjitha për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Republikës.
“Kjo që po ndodh me presidentin është fyerje dhe poshtërim për shqiptarët, të cilëve duan t’ju japin një president të pamerituar, nëse do t’i japin një president para zgjedhjeve dhe sigurisht është një poshtërim për figurën e presidentit.
Një poshtërim dhe nëpërkëmbje e institucionit më të lartë kushtetues, që mund të përcaktohet 3 minuta para votimit. Rilindja po e kthen zgjedhjen e presidentit në pazar, për të zgjidhur krizën brenda koalicionit. Po poshtërohet figura e presidentit për pazaret dhe aferat e koalicionit qeverisës.”, është shprehur Blushi.
Pyetjes se sa e favorizon Librën, fakti që PS dhe LSI nuk janë rregjistruar si koalicion për zgjedhjet e qershorit, Blushi iu përgjigj se Libra do të shkojë në këto zgjedhje si parti e njerezve të thjeshtë, jo si parti e oligarkëve dhe atyre që kanë abuzuar me pushtetin.
Ndërkohë përshkallëzimi i protestës së opozitës, për Blushin do ishte mirë që të ishte vetëm një kërcënim dhe jo diçka serioze.
“Kriza duhet të zgjidhet me dialog dhe kompromis, pavarësisht se jemi në limitet e fundit kohore. Kam pak shpresë, se partitë e vjetra mund të gjenerojnë zgjidhje pa cënuar zgjedhjet, pa cënuar zgjedhjen e presidentit, reformën në drejtësi, pasi ata kanë frikë nga drejtësia dhe ndëshkimi.
Kriza duhet të zgjidhet me dialog, pasi çdo lloj kërcënimi që vjen nga palët, do të cënonte stabilitetin e vendit.”, deklaron deputeti.
Për zgjidhjen e krizës, Blushi propozon zgjedhje të shpeshta, pasi ai ka bindjen se zgjedhjet e rradhës nuk do të prodhojnë zgjidhje për Shqipërinë.
Arsyeja pse zgjedhjet nuk do prodhojnë zgjidhje për Blushin janë 3 çadrat: çadra e Rilindjes, e opozitës dhe çadra e LSI-së. Të paktën kështu i ka cilësuar kreu i LIBRA-s. (D.D/Shuplaka)