Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, është thirrur në një interpelancë nga opozita greke lidhur me incidentin për bluzën “Shqipëria e madhe”.
Bëhet fjalë për një foto, ku zv/ambasadori shqiptar në Athinë është fotografuar brenda një shkolle në Kretë, përkrah një fëmije shqiptar i cili ka veshur një bluzë me hartën e Shqipërisë së Madhe.
Deputeti i partisë “Demokracia e re”, Theodhos Karaoglu, ka kërkuar interpelancë në parlament lidhur me këtë çështje.
Kotzias ka reaguar lidhur me këtë incident, dhe ka thënë se fëmija nuk e ka idenë se çfarë kuptimi ka ajo hartë.
“Sa i përket ngjarjes në Hania, dua të theksoj se bëhet fjalë për një incident të izoluar. Nuk duhet të vihet në shënjestër asnjë fëmijë i cili as që është i vetëdijshëm për mesazhet që përcjellin imazhet në bluzën e tij. Përgjegjës për këtë incident janë ata që përdorin fëmijët si mjete provokimi me shprehje të tendencave revizioniste në raport me drejtën ndërkombëtare”, mësohet të ketë thënë Kotzias.
(F.G/Faxweb.al)